Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur pafytyrësi të presidentit Hashim Thaçin vlerësimin që i’a bëri ai si të rrezikshme e të dëmshme idesë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të diskutohet me Serbinë në Bruksel të enjten, njofton Insajderi
Në një reagim për këtë çështje, Lëvizja Vetëvendosje ka kujtuar se një rezolutë e tillë është votuar qysh në muajin mars.
Kjo parti ka kërkuar nga Thaçi që para se të paraqesë Asociacionin si rrezik të japë përgjegjësi për marrëveshjet e mëhershme.
“Nëse ‘Zajednica paraqet rrezik për Republikën e Kosovës, gjë që është krejt e vërtetë, atëherë Presidenti Thaçi duhet të bëjë së paku tre gjëra: të distancohet dhe marrë përgjegjësi për marrëveshjen e prillit 2013, që është themeli i ‘Zajednicës’ që e nënshkroi si Kryeministër; të marrë përgjegjësi për ‘Zajednicën’ e gushtit 2015 të nënshkruar nga Kryeministër Isa Mustafa i shoqëruar nga vet Hashim Thaçi si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe garantonte se ajo ishte në përputhje me Kushtetutën ndërkohë që më vonë doli se ajo e shkelë atë në së paku 23 nene të saj; dhe, të japë përgjegjësi për nënshkrimin e tij në letrën ku FSK-së i ndalohet kalimi në veri të vendit”.
Tutje, Vetëvendosje e ka cilësuar këtë si shtirje të Thaçit “vetëm sa për të mbetur edhe pak në skenën politike”, dhe se kundërshtia e tij është e rreme.
“Ky reagim i Presidentit sot, nuk është asgjë tjetër pos pafytyrësi që përpiqet të simulojë opozitarizmin. Pra, ai po shtiret, po e luan rolin, vetëm sa për të mbetur edhe pak në skenën politike, dhe për ta faktorizuar veten ndërkombëtarisht. A i ka numëruar Thaçi sa rezoluta të tilla ka pasur, e sa janë shkelur nga vetë personi që është President? Ai vetë, në cilësinë e Kryeministrit bashkë me Daçiqin hodhën themelet e ‘Zajdenicës’, që më pas e ndalëm me protesta mbarëqytetare. Kjo kundërshti mes Thaçit e Hotit është kundërshti e rreme e dy anëve të së njëjtës medalje, është kundërshti e ndarjes direkte të Kosovës me atë të bosnjëzimit për t’u ndarë më vonë. Dallimi i tyre është vetëm kohor. Ata që thonë se ‘Zajednica’ është obligim në fakt janë duke negociuar ndarjen. Ndërsa kinse-kundërshtarët e tyre, opozita e simuluar, të cilët ka kohë që kërkojnë ndarje, sot bëjnë thërrasin kundër Zajednicës që e krijuan vetë. Njëjtë si hajni kur thërret ‘kapeni hajnin’”.
VV-ja në fund e ka quajtur të dëmshme dhe të papranueshme Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, sipas saj, “Hashim Thaçi është baba i ‘Zajednicës’ e jo kundërshtari i saj”.
“Si themelues i kahmotshëm atij vetëm i ka mbetur merak pse nuk është Thaçi implementuesi, por kryeministri i tij kukull. Qytetarët e Republikës së Kosovës, opinioni mbarëshqiptar, Lëvizja Vetëvendosje! dhe studiues të fushave të ndryshme kanë qenë në mënyrë konsekuente kundër marrëveshjeve që kanë rrudhur territorin dhe cenuar sovranitetin e vendit. Ne kemi kundërshtuar ‘Zajednicën’ Thaçi-Daçiq 2013 dhe atë Mustafa-Thaçi – Vuçiq- Daçiq 2015 sepse janë kundër rendit kushtetues dhe Republikës. Gatishmëria e kryeministrit të paligjshëm për ta ringjallur projektin famëkeq të Serbisë do të kundërshtohet siç janë kundërshtuar përpjekjet e padronëve të tij e që janë pikërisht këta nënshkrues”./Insajderi.com
Pafytyrësia e Presidentit Sot, Zyra e Presidentit ka lëshuar një komunikatë për media ku e ka cilësuar si të…
Gepostet von Lëvizja VETËVENDOSJE! am Mittwoch, 16. September 2020