Gushti është muaji kur do të zyrtarizohen emrat e kandidatëve të të gjitha qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Ndonëse ka mbetur pak kohë nga mbajtja e zgjedhjeve në vjeshtë, vetëm Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë publike asnjë emër që pritet t’i futet garës për kryetar komunal.
Kjo procedurë është në dorën e Anëtarësisë së degëve të partisë në zonat e caktuara, të cilat do të duhet të votojnë më së voni një muaj para se të nisë fushata elektorale.
“Çështja e kandidatit për kryetar komune në Vetëvendosje është që duhet të votohet prej Anëtarësisë së një qendre apo dege dhe kjo vendoset në muajin gusht”, ka thënë për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësi i komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.
Derisa u pyet nëse kryetari aktual i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, do të rikandidojë në zgjedhjet e tetorit, ai tha se nuk është e sigurt, mirëpo sipas të gjitha gjasave, Bulliqi do të jetë pretendenti kryesor për kryetar të Podujevës.
“Nuk është ende koha për deklarim, por pretendenti kryesor për të qenë kandidat është z.Shpejtim Bulliqi. Sipas të gjitha gjasave është z.Bulliqi, por nuk është zyrtarizuar për shkak të procedurave të brendshme partiake”, ka thënë Zhitia për redaksinë.
Se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hyrë ende në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve për të drejtuar komunat e Kosovës, e thonë edhe nga partia.
Zyra për informim e LVV-së, thotë për Insajderin se ende nuk është inicuar ndonjë shpallje për kandidime para fazës së përzgjedhjes.
“Përzgjedhja e kandidatëve është e rregulluar me statutin e LV-së dhe në bazë të tij, përbrenda afateve, në secilën qendër kandidatët do të jenë të lirë të kandidojnë për t’u votuar pastaj në këshillet e qendrave ku kandidojnë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrës për komunikim të kësaj partie.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! gjithnjë përmes komunikimit publik njofton anëtarësinë e saj për hapjen e këtyre afateve për aplikim”.
Ndryshe nga partia më e madhe në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tashmë kanë përcaktuar numrin më të madh të kandidatëve të tyre për kryetarë të komunave. /Insajderi.com