Veton Surroi: Këta janë njerëzit e AAK-së që e dëmtuan Kosovën

Veton Surroi: Këta janë njerëzit e AAK-së që e dëmtuan Kosovën

Publicisti, Veton Surroi përmes një shkrimi të tij ka shkruar për problemet që ballafaqohet kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se Haradinaj ballafaqohet me një problem objektiv e tërë struktura e qeverisjes mbështetet vetëm te fjala e tij dhe sipas tij sado e fortë të jetë, fjala e tij tash bëhet pengesë.

“Duke e njohur prej vitesh, e kuptoj ndjenjën e tij. Ajo që e karakterizon prej kohësh është forma e drejtpërdrejtë e komunikimit, që bazohet në një kod pothuajse mesjetar të fjalës së dhënë, të shtrëngimit të dorës si kontratë më e fortë se cilado e shkruar dhe e verifikuar në noteri a gjykatë”, ka shkruar ai.

Sipas Surroit problemi i Haradinajt është paradoksal pasi i mbështetët fjalës së tij.

“Së pari, AAK-ja është pjesë e koalicionit me PDK-në, një parti e cila është përgjegjëse për kapje të shtetit (gjë të cilën e ka thënë publikisht Haradinaj deri në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit me të). Për ta formuar Qeverinë, në rrethana kur në të nuk duan të hyjnë partitë shqiptare me 61 deputetë, Qeveria Haradinaj do të duhej të kishte mbështetjen e të gjithë minoritarëve, përfshirë Listën Srpska dhe disa deputetë që do të shkëputeshin prej grupit ‘61’”, ka shkruar më tej.

Më tutje Surroi ka thënë se arsyeja e dytë se përse mbështetja e vetme në fjalët e Haradinajt është pamjaftueshme, për shkak të përvojave jo të mira në të kaluarën.

“Arsyeja e dytë pse mbështetja vetëm në fjalën e Ramush Haradinajt është e pamjaftueshme, qëndron në një përvojë jo të mirë në të kaluarën. Në kohën kur AAK-ja ka qenë në Qeveri, gjegjësisht në krye të saj, prej vitit 2004-2007, përfaqësuesit e AAK-së në Qeveri kanë krijuar një listë të konsiderueshme dëmesh për vendin. Gjatë mandatit të Bujar Dugollit, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, privatizuesi i “Ferronikelit” nënshkroi marrëveshje preferenciale me KEK-un për furnizim me rrymë, me të cilën ne si qytetarë u obliguam që ta paguajmë rrymën për “Alferonin” (gjashtë milionë euro në vit)”, transmeton Koha.net.

“Bujar Dugolli, Et’hem Çeku, Agim Çeku, Bajram Kosumi, Anton Berisha e Blerim Shala, me gjithë dallimet që kanë mes vete i përbashkojnë më tutje disa pika. Që të gjithë kaluan një rrugëtim prej AAK-së në PDK, një rrugëtim që kur e bëjnë njerëz të këtillë me dallime mes vete duket se bëhet i natyrshëm, si për ta ashtu edhe për ata që do të vijnë më pas. Që të gjithë bënë veprime të dëmshme ndaj vendit, në forma të ndryshme e nga asnjëri prej këtyre veprimeve nuk rrodhi përgjegjësia – as individuale e tyre e as e AAK-së, si parti e cila u mundësoi që të bëjnë dëme”, ka thënë ai.