Katër persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një vetë-aksidenti të ndodhur sot në magjistralen Prishtinë-Gjilan, përkatësisht në fshatin Mramor, njofton Insajderi.
Lajmin për Insajderi-n e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, i cili tha se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.
Krasniqi tutje ka theksuar se aksidenti ka ndodhur si pasojë e daljes nga rruga e një veture, e cila ka rënë në një përrua skaj rrugës.
“Sot, më datë 06.08.2020 rreth orës 17:30, policia është njoftuar për një aksident trafiku (vet-aksident). Aksidenti ka ndodhur në magjistralen Prishtinë-Gjilan (fshatin Mramor). Njësitet policore të Stacionit Policor Graçanicë dhe të trafikut i janë përgjigjur njoftimit. Ato, në vend-ngjarje kanë hasur një veturë të dalë nga rruga dhe të rënë në një përrua skaj rruge. Në veturë kanë qenë pesë persona të cilët janë transportuar me njësitet e urgjencës për në QKUK”, ka thënë Krasniqi. /Insajderi.com/