Vetura pa shofer në Prizren aksidentohet me një automjet tjetër, policia deklarohet rreth rastit

Vetura pa shofer në Prizren aksidentohet me një automjet tjetër, policia deklarohet rreth rastit

Një aksident trafiku jo i zakonshëm, ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në Prizren, ku dy vetura janë përplasur me njëra tjetrën, por i përfshirë ishte vetëm një shofer.

Rasti ka ndodhur rreth orës 21:00, në rrugën “Adem Jashari”, të kësaj komune, ku një vozitës nga pakujdesia nuk ka marrë masat e sigurimit derisa ka parkuar automjetin dhe si pasojë e kësaj, ka ardhur deri te aksidentimi me automjetin i cili ishte duke lëvizur.

Lidhur me këtë rast, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, në një përgjigje për Insajderi.com, ka thënë se në këtë aksident janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe nuk ka persona të lënduar.

“Rasti ka ndodhur rreth orës 20:47, në rrugën ‘Adem Jashari’ në Prizren, ku një vozitës nga pakujdesia pasi e ka parkuar automjetin e tij, duke mos i marrë masat e sigurimit, automjeti ka lëvizur duke e goditur automjetin tjetër, me ç’rast ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Nuk ka persona të lënduar”, ka thënë Osmanollaj.

Në mbrëmjen e djeshme kanë qarkulluar pamje nga ky rast, ku është parë se nga pakujdesia e një shoferi, automjeti është parë në komunikacion pa ngasës, duke rrezikuar kështu edhe pjesëmarrësit e tjerë, e madje shkaktoi dëme te vetura tjetër me të cilën u përplas. /Insajderi.com/