Vidhet “Suzuki” në qendër të Prishtinës – arrestohen dy personat që vodhën në vlerë 18 mijë euro

Policia e Kosovës më saktësisht në rajonin e Prishtinës ka arrestuar sot dy persona për vjedhje të rëndë që kishte ndodhur të enjten në Prishtinë, ku një veturë Suzuki në vlerë të 12 mijë eurove është vjedhur.

Po ashtu dyshohet sipas Policisë së Kosovës viktimës i është vjedhur edhe stoli e ari në vlerë të 6 mijë eurove.

“Sot nga njësitet policore të hetimeve të përgjithshme të Prishtinës, janë arrestuar dy persona për një rast vjedhje të rëndë. Rasti ka ndodhur me datë 09.05.2019 në Prishtinë, në rrugën “Lordi Bajron”, ku viktimës mashkull i është vjedhur një veturë e tipit Suzuki (vlera 12 mijë euro), si dhe stoli ari e gjësende të tjera që arrijnë vlerën rreth 6000 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë së Kosovës dy personat e arrestuar janë R.B dhe B.K.

“Puna e hetuesve policor lidhur me rastin në fjalë është finalizuar sot, ku pas marrjes së disa veprimeve operative janë arrestuar dy persona: R.B, mashkull, 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, B.K, mashkull, 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”.

“Pjesë e këtij operacioni ka qenë edhe bastisja e tri lokacioneve, ku policia ka gjetur dhe sekuestruar veturën dhe  gjësendet të cilat janë raportuar si të vjedhura”.

“I dyshuari R.B, pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërkohë që i dyshuari i dytë, B.K, ndaj të cilit është iniciuar rasti “Pranim i mallrave të vjedhura”, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./Insajderi.com