Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës “viktimë” e paqartësisë mes ministrive

Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës “viktimë” e paqartësisë mes ministrive

Një ditë pasi kolegu i tij, ministri i Financave, Abdullah Hoti tha nëpërmjet televizionit se “çështja e grave të dhunuara” nuk është përfshirë në buxhetin e vitit 2017, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi bashkë me ish-presidenten Atifete Jahjaga ia kishin mësyer Drenasit.

Vizita e realizuar të martën në Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, sipas një postimi të Jahjagës në Facebook si deklaratë e përbashkët me Abrashin, ka përmendur pikërisht çështjen e pensioneve për gratë e dhunuara gjatë luftës.

“Institucionet e vendit janë duke punuar me intensitet që viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës shumë shpejtë të kompensohen financiarisht, siç ju takon me ligj, pa marrë parasysh paqartësive që mund të jenë krijuar pas miratimit të buxhetit për vitin 2017 në Qeverinë e Kosovës”, thuhet në këtë postim të përbashkët të Jahjagës dhe Abrashit në Facebook.

Por siç raportion Insajderi, sipas ministrit Hoti, buxheti për këto viktima nuk është përfshirë në buxhetin e ri të vitit të ardhshëm.

“Aty ende ka çështje që duhet të kryhen, punë të brendshme që duhet të kryhen nga Ministria e Punës përpara se të lëvizim në atë drejtim”, ka thënë Hoti në Klan Kosova. të hënën pasdite.

Çështjet të cilat duhet të kryhen janë sipas Hotit janë “rregulloret e brendshme dhe verifikimi i statusit” dhe se nevojitet kohë deri sa të arrihet tek çështja e ndarjes së buxhetit për këto viktima.

“Pensionet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës nuk janë të përfshira në buxhet, por posa të kryhen punët.”, ka thënë Hoti.

E gjatë vizitës që Jahjaga me Abrashin ia kanë bërë grave në Drenas thuhet se kanë shfrytëzuar rastin që t’i informojnë “përfaqësuesit e kësaj qendre për ecurinë e krijimit të komisionit verifikues për statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës”.

Këtë gjë Abrashi dhe Jahjaga kanë thënë se do ta zhvillojnë edhe nëpër qendra tjera që merren me të drejtat e grave.

“Ne u bëjmë thirrje grave që të kenë durim dhe të mos bien pre e organizatave që kanë për qëllim përfitime personale dhe të ndjekin vetëm rrugën institucionale gjatë këtij procesi”, thuhet në postimin nga kjo vizitë.

E sipas Hotit, çështja e buxhetit për gratë e dhunuara mund të hyjë në diskutim kur të bëhet rishikimi i buxhetit. raporton Insajderi.

“Është edhe rishikimi i buxhetit që ndodhë në mesin e vitit të ardhshëm pra nuk është çështje që është mbyllur…”, ka thënë Hoti.

Sipas shifrave zyrtare para largimit nga Kosova në qershor të vitit 1999, pas bombardimeve dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, forcat ushtarake, policore dhe ato paramilitare serbe, përveç se lanë pas mbi 10 mijë të vrarë e shkatërrime masive, lanë pas një plagë prej rreth 20 mijë femrave të dhunuara.

Përplasje brenda Qeverisë për buxhetin ka pasur edhe sot.

Zëvendësministrat në Ministrinë e Financave – që u takojnë dy partive të koalicionit qeveritar – paraqesin mendime krejtësisht të ndryshme rreth parashikimeve, ndarjes dhe planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm.

Për zëvendësministrin e Financave nga radhët e Partisë Demokratike, Isni Kilaj, ky projektbuxhet është i fryrë në formë artificiale. Kurse, për zëvendësministrin e Financave nga Lidhja Demokratike, Agim Krasniqi, projektbuxheti është real dhe i dakorduar sipas standardeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar./Insajderi.com