Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme të Kosovës për ankesat e partive politike, njofton Insajderi.
Von Cramon thotë se partitë politike në Koosvë duhet të respektojnë vendimin e Supremes.
Kështu ka shkruajtur ajo në një postim në Twitter, ku tutje tha se shpreson që subjektet politike të bëjnë një fushatë korrekte në javët në vazhdim.
“Pas vendimit të Gjykatës Supreme për të ndalimin e Albin Kurtit nga kandidimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme, dua të theksoj se të gjitha partitë politike të Kosovës duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Supreme dhe shpresoj se ato do të bëjnë një fushatë korrekte në javët e ardhshme”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.
Gjykata Supreme ka marrë vendim për të moscertifikuar disa kandidatë, përfshirë edhe bartësinë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për shkak të problemeve që kishin me ligjin në të kaluarën. /Insajderi.com