Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka reaguar në lidhje me paditë që po bëhet nga koorporatat dhe individët e fuqishëm ndaj aktivistëve të mjedisit, në mënyrë që këta të fundit të heshtin.
Europdeputetja gjermane ka thënë se nuk do t’i lejojnë ata të mbyllin debatin demokratik dhe se zërat e qytetarëve gjithmonë do të dëgjohen.
“Kosova ka një numër në rritje të rasteve #SLAPP kur korporatat dhe individët e fuqishëm po padisin gazetarët dhe aktivistët e mjedisit për t’i heshtur ato. Ne nuk do t’i lejojmë ata të mbyllin debatin demokratik. Do të dëgjohen zërat e qytetarëve”, ka shkruar Von Cramon në llogarinë e saj në Twitter.
#Kosovo has an increasing number of #SLAPP cases when powerful corporations and individuals are suing journalists and environmental activists to silence them. We will not let them shut down democratic debate. Citizens’ voices will be heard
full statement: https://t.co/Vr3SObpYYR— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) July 24, 2020
Ky reagim ka ardhur pas konferencës për media të mbajtur nga koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile, ku është bërë dorëzimi i përgjigjes për padinë e ngritur nga kompania “Kelkos” ndaj aktivistit Adriatik Gacaferi, vetëm pse ky i fundit ka shkruar një status në Facebook ku kishte treguar se si kompania “Kelkos” e ka futur të gjithë ujin në gypa e nuk ka lënë një pjesë edhe për florën dhe faunën, ashtu siç e parasheh edhe ligji.
Vetë aktivisti Gacaferi tha se kjo padi nuk do ta ndalë të ngre zërin për çdo parregullsi që hasë në ambient.
“Unë mendoj që padia ndaj meje nuk është thjesht një padi vetëm ndaj një aktivisti të mjedisit, por një tendencë që me i frikësu dhe me ua ndalë zërin të gjitha aktivistëve që protestojnë për krime mjedisore”, ka deklaruar ai.
Në lidhje me këtë, ka pasur reagime të shumta nga organizata të ndryshme joqeveritare e madje edhe nga avokatë e gazetarë, të cilët thonë se kjo kompani ka zgjedhur taktika kërcënuese që janë të rrezikshme për demokraci. /Insajderi.com/