Visar Ymeri komenton refuzimin e LDK-së dhe VV-së që t’i bashkohen dialogut

Visar Ymeri komenton refuzimin e LDK-së dhe VV-së që t’i bashkohen dialogut

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka komentuar qëndrimin refuzues të Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’iu bashkuar Ekipit Negociator në bisedimet me Serbinë.

Ymeri për Periskopin ka thënë se LDK dhe VV jo vetëm që nuk mbështeten Rezolutën e miratuar të PSD’së, por nuk paraqiten ndonjë tjetër alternativë.

“LDK dhe VV jo vetëm që nuk mbështetën rezolutën tonë, por nuk paraqiten alternativë. Kanë përzgjedhur të vetëpërjashtohen nga dialogu. E drejtë e tyre. Nuk e kuptoj fare qëndrimin e tyre që nga fillimi. Nuk kanë pasur asnjë vërejtje përmbajtjesore për Rezolutën, teksa në anën tjetër po kundërshtojnë hapësirën vendimmarrëse që iu takon”, ka thënë ai.

Tutje, Ymeri ka kërkuar nga pjesa tjetër e opozitës që t’i tejkalojnë inatet personale dhe të marrin hapësirën vendimmarrëse që iu takon në këtë proces të rëndësishëm për vendin.

“Do të ishte e udhës që pjesa tjetër e opozitës t’i tejkalojë inatet personale e t’i lë anash kalkulimet partiake dhe të zënë hapësirën vendimarrëse që iu takon. Dialogu final me Serbinë është sot më i rëndësishëm për Kosovën, se disa vota që synojnë t’i marrin ata nesër në zgjedhje”, tha Ymeri.

Nënkryetari i PSD-së tha se falë kësaj Rezolute të propozuar nga ta, Kuvendi për herë të parë mori rol qendror në procesin e dialogut.

“Për herë të parë Republika e Kosovës po hyn në një proces të tillë e përgatitur, me ligj dhe platformë, me vendimmarje konsensuale dhe me përfaqësim gjithëpërfshirës, si dhe me referendum për miratim marrëveshjeje eventuale”, ka thënë Ymeri tutje.

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sot bëri të ditur se nuk do t’i bashkohen Ekipit Negociator, por do ta ndihmojnë dialogun nga opozita.

“Gjithmonë kemi konstatuar se negociatat duhet t’i zhvillojë Qeveria e Republikës së Kosovës. Nëse qeveria i ikë përgjegjësisë së saj dhe formon grupe për ta mbuluar përgjegjësinë, është çështje e qeverisë. Ne do të mbajmë pozitën tonë si opozitë dhe si opozitë do t’i kontribuojmë dialogut”, ka thënë Mustafa sot.

Ky qëndrim i LDK-së ishte befasues edhe për kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, i cili shprehi hapur dëshirën për udhëheqjen e dialogut me këtë parti.

Në Rubikon të KTV-së, Veseli ka thënë se nuk e kupton pse LDK-ja nuk ka pranuar të jetë në Ekipin Negociator të votuar javën e shkuar.

“Hera e parë në tre dekada që Kosova s’pranon të ketë dialog”, ka thënë ai. “Më shumë më befason LDK-ja, që ka pas një traditë të procesit dialogues dhe të ketë frustrim, edhe nëse ka bazë hidhërimin për bashkëpunimin trevjeçar, nuk e ka moralitetin e duhur sjellja e tillë”.

Në krye të Ekipit Negociator do të jenë Shpend Ahmeti i PSD’së e Fatmir Limaj i Nismës.