Visar Ymeri tregon qëllimin e vizitës së Vuçiqit në Kosovë

Visar Ymeri tregon qëllimin e vizitës së Vuçiqit në Kosovë

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri në një postim në rrjetin social facebook ka thënë se defilimi i Vuçiqit nëpër Kosovë, kishte për qëllim ta demarkojë terrenin e tij.

Ai thoët se për këtë e ndihmuan liderët e Kosovës.

“Defilimi i Vuçiqit nëpër territorin e Kosovës, vendet që i vizitoi, kishte për qëllim ta demarkojë “terrenin e tij” ashtu siç bën ujku. Këtë ia ndihmuan edhe krerët institucional të vendit me mosveprimin e tyre. Kështu Vuçiqi ‘bën’ ta vizitojë veriun e Ujmanin por jo edhe pjesët tjera. Nëse nuk kemi problem me vizitën e Vuçiqit atëherë nuk do të duhej të na pengonte vizita e cilësdo pjesë të Kosovës nga ai. Nëse kemi problem me këtë vizitë, atëherë na pengon kudo që ai ka shkuar”, ka shkruar Ymeri.

Postimi i plotë:

« Gazimestani » i Vuçiqit dhe (pa)përgjegjësia e Thaçit

Më 1989, lideri fuqiplotë i Serbisë, Millosheviqi pati zgjedhur Gazimestanin për t’u paraqitur si mbrojtësi i serbëve të Kosovës. Më 2018, lideri fuqiplotë i Serbisë, Vuçiqi zgjodhi Veriun e Kosovës për t’u paraqitur si mbrojtësi i serbëve të Kosovës.

Viktimizim për zbatim planesh në emër të ripërkufizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, midis shqiptarëve dhe serbëve.

Rrethana të reja, qëllimi i njëjtë, metoda ndryshe.

Gazimestani i Millosheviqit ishte hyrje në një kapitull të ri, edhe me mjete luftarake. Rezultati dihet.

Veriu i Kosovës i Vuçiqit synon hyrje në një kapitull të ri, me mjete paqësore, në marrëveshje me Hashim Thaçin. Rezultati nuk dihet.

Defilimi i Vuçiqit nëpër territorin e Kosovës, vendet që i vizitoi, kishte për qëllim ta demarkojë “terrenin e tij” ashtu siç bën ujku. Këtë ia ndihmuan edhe krerët institucional të vendit me mosveprimin e tyre. Kështu Vuçiqi ‘bën’ ta vizitojë veriun e Ujmanin por jo edhe pjesët tjera. Nëse nuk kemi problem me vizitën e Vuçiqit atëherë nuk do të duhej të na pengonte vizita e cilësdo pjesë të Kosovës nga ai. Nëse kemi problem me këtë vizitë, atëherë na pengon kudo që ai ka shkuar.

Hashim Thaçi i cili po e shpërfill Kuvendin e Republikës së Kosovës ka më shumë se kurrë përgjegjësi politike dhe historike t’i njoh dhe njoftojë institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për projektin e tij për marrëveshje me Vuçiqin. Paqja e nevojshme midis Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve e serbëve, nuk mund të ndërtohet me procese jotransparente dhe me takime të mbyllura nga sytë e publikut.