Visari Ymeri thotë se Ramush Haradinaj gaboi

Visari Ymeri thotë se Ramush Haradinaj gaboi

 

Shkuarja e Ramush Haradinajt në takimin me liderët, të ftuar nga presidentja Atifete Jahjaga, ka qenë gabim politik dhe nuk është bërë në dakordim me Lëvizjen “Vetëvendosje”, ka thënë gjatë një interviste për gazetën “Zëri” lideri i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri.

Ai ka bërë të ditur se dy ditë para këtij takimi, Haradinajt i kishin sugjeruar që t’i thotë “jo” ftesës së presidentes.

Ymeri thotë se në Kosovë sa më shpejt duhet të organizohen zgjedhjet e parakohshme, ku partitë e bllokut opozitar, bashkë me pjesëtarët e shoqërisë civile, do të shkojnë me një listë të përbashkët, përderisa rregullat e koalicionit do t’i caktojë “Vetëvendosja”.

Kreu i parties më të madhe opozitare është i bindur se aktualiteti politik dhe institucional nuk e lejon zgjedhjen e cilitdo politikan president të Republikës së Kosovës, me ç’rast, sipas tij, do të pengohet edhe zgjedhja e Hashim Thaçit, qoftë nëpërmjet gazit lotsjellës, apo formave të tjera të kundërshtimeve politike./Zëri.info