Vitia: 133 mijë e 234 vaksina janë hequr nga administrimi për shkak se u doli afati

Vitia: 133 mijë e 234 vaksina janë hequr nga administrimi për shkak se u doli afati

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se janë hequr nga administrimi 133 mijë e 234 vaksina të kompanisë Astra Zeneca, pasi që u ka skaduar afati, njofton Shqip.com.

Vitia në një konferencë për media, tha se këto vaksina kanë qenë pjesë e donacionit nga Norvegjia, teksa shton se ky nuk është një lajm I mirë, por që kanë paralajmëruar se afati i tyre është 31 gushti.

“Ka pasur shumë dezinformata përfshirë këtu edhe deputet të Kuvendit për afatin e këtyre vaksinave e përveç të tjerave ka ndikuar dukshëm në interesimin e qytetarëve për marrjen e këtyre vaksinove e deri në refuzim të tyre. Sic e kemi cekur disa herë në ballafaqim me pandeminë e pas përballjes me Delta nuk jemi në situatë ku duhet zgjedhur vaksinën sidomos kur ato janë të sigurta”.

“Një pjesë e vendeve të rajonit dhe jo vetëm nuk kanë pasur mundësinë e zgjedhjes e janë vaksinuar edhe me vaksina të pacertifikuar. Për ne siguria dhe cilësia e vaksinave është parësore dhe prandaj s’kemi pasur kompromis në këtë drejtim dhe s’do të kemi as në të ardhmen”, tha ndër të tjerash Vitia.

Po ashtu, ai pohoi se në fund të kësaj jave pritet që të arrijnë edhe 150 mijë vaksina nga Gjermani dhe pas një jave, vijnë edhe 100 mijë të tjera nga Italia.

“Janë donacione të miqve tanë dhe në këtë kohë janë treguar solidar e u jemi mirënjohës. Edhe këto vaksina janë Astrazeneca dhe me afat deri në nëntor të këtij viti. Në javën tjetër presim të vijnë edhe pjesa tjetër e vaksinave të prodhuara nga Pfrizer, përmes COVAX si donacion nga SHBA prej 500 mijë doza dhe 200 mijë doza nga kontrata që kemi me Pfizer e që fillojnë të vijnë në fillim të çdo jave.Gjatë muajit gusht janë administruar mbi 400 mijë e 10 mijë vaksina dhe në shtator ky numër do të rritet”, shtoi ai.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë regjistruar 22 vdekje dhe një mijë e 894 raste të reja me COVID-19./Insajderi.com