Vitia: 600 mijë vaksina kemi në stok – flet edhe për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve

Vitia: 600 mijë vaksina kemi në stok – flet edhe për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se aktualisht në stok janë 600 mijë vaksina anti-COVID, teksa edhe ka paralajmëruar se gjatë muajit shtator numri i vaksinave të administruara pritet të jetë më i lartë se përgjatë muajit gusht që ishin mbi 410 mijë doza të vaksinës, transmeton Insajderi.com.

Kështu është shprehur ai në një konferencë për media bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Muratin, pas mbledhjes së qeverisë të mbajtur sot.

Vitia në këtë adresim për media ka ftuar të rinjtë dhe gratë shtatzëna e gjidhënëse të vaksinohen.

“Muaji që përfundoi ishte i mirë në zbatimin e planit të vaksinimit në masë. Projeksionet tona janë që edhe ky muaj do të jetë edhe më efektiv, duke qenë se kemi siguruar një stok të qëndrueshëm me vaksina”, ka thënë ai.

“Duke qenë se në stoqet tona aktualisht kemi mbi 600 mijë vaksina të sigurta dhe efikase, ju bëjë thirrje qytetarëve që të caktojnë termine dhe të vaksinohen. Në mënyrë të veçantë ju bëjmë thirrje të rinjve, por sidomos shtatzënave dhe nënave gjidhënëse që të vaksinohen. Janë administruar katër mijë doza te gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse”, shtoi Vitia.

Ai ka folur edhe për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, që janë caktuar të mbahen më 17 tetor.

Vitia thotë se vendimi për shtyrje apo jo, do të merret bazuar në rekomandimet e ekspertëve.

“Natyrisht, ky është një vendim i cili do merret nga rekomandimet dhe vlerësimi i situatës në teren nga ekspertët dhe çdo rekomandim i tyre pastaj do të diskutohet dhe respektohet”, ka thënë Vitia.

I pari i shëndetësisë në vend ka thënë se situata epidemiologjike vazhdon të jetë e brishtë dhe jo stabile.

Ministri Vitia po ashtu ka njoftuar se MSH-ja ka nisur negocimin edhe për një milion doza të vaksinave anti-COVID për vitin e ardhshëm, pas rekomandimeve të fundit se mund të duhet edhe doza e tretë. /Insajderi.com