Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se që nga sot në Kosovë ka filluar vaksinimi masiv i qytetarëve kundër COVID-19 dhe se çdo muaj pritet të vaksinohen rreth 320 mijë qytetarë, shkruan Insajderi.
Vitia ka thënë se menaxhimi i pandemisë dhe ringjallja e ekonomisë mbetet prioritet i tyre, dhe së këto dyja janë të lidhura ngushtë njëra-tjetrën.
“Menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe ringjallja e ekonomisë, janë prioritetet e qeverisjes sonë. Për të parën natyrisht që është shumë e rëndësishme dhe pa të nuk arrihet as e dyta. Sot po fillojmë një proces masiv. Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet shëndetësore i ka bërë përgatitjet për fillimin e planit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19”, tha Vitia para mediave nga salla 1 Tetori në kryeqytet.
Mes tjerash, Ministri i Shëndetësisë tha se janë krijuar hapësira të reja dhe janë organizuar 279 ekipe mjekësore në nivel vendi për vaksinim.
“Ky proces kërkon përgatitje, mobilizim, profesionalizëm dhe vullnet për të kontribuar. Ne kemi bërë përgatitje dhe jemi të gatshëm për të përmirësuar atë përgjatë rrugës. Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me komunat ka krijuar hapësira të reja dhe ka organizuar 279 ekipe mjekësore në nivel vendi dhe ka ngritur infrastrukturën e nevojshme, ka siguruar vaksina të nevojshme”, ka thënë më tej ai./Insajderi.com