Vitia flet pas njoftimit se mund të ketë sulm në një nga spitalet e Kosovës

Vitia flet pas njoftimit se mund të ketë sulm në një nga spitalet e Kosovës

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është deklaruar rreth sigurisë së pacientëve pas kërcënimit për sulm në një nga spitalet e Kosovës, që ka marrë sot policia, njofton Insajderi.

Vitia thotë se pacientët janë të sigurt, derisa shton se përcjellja e familjarëve nëpër spitale nuk duhet të jetë më shumë se një.

“Pacientët natyrisht janë të sigurt, ne bashkë me bordin dhe drejtorin e SHSKUK-së kemi pasur disa takime ku kemi biseduar që përcjellja e familjareve nëpër spitalet tona nuk duhet të jetë më shumë se një. Për momentin duhet respektuar të gjitha masat dhe duke pasë parasysh se për një kohë fatkeqësisht këto masa nuk janë respektuar aq sa duhet, ne i kemi marrë masat që mos të jetë edhe institucioni shëndetësor një nga shpërndarësit e virusit”, ka thënë Vitia.

Masa të rrepta po zbatohen edhe në veri të Mitrovicës, ku që nga mëngjesi i sotëm, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë duke bërë kontrolle për automjetet që hyjnë në zonën e Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për këtë rajon, Besim Hoti, i cili në një prononcim për Gazetën Online Insajderi tha se ky kontroll është duke u bërë në të gjitha spitalet e Kosovës.

“Policia u kontaktua nga një person i cili kërcënoi të sulmonte dikë në spital, por pasi që ky person nuk tregoi se kush ishte dhe në cilin qytet do të kryente sulmin, Policia, për arsye parandaluese, po siguron spitalet në të gjithë Kosovën derisa të zbulojmë më shumë informacion”, tha Hoti. /Insajderi.com