Vitia: Jemi rrugës së drejtë për sigurimin e vaksinave

Vitia: Jemi rrugës së drejtë për sigurimin e vaksinave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka raportuar se janë në bisedime të drejtëpërdrejta me të gjitha kompanitë prodhuese për sigurimin e vaksinave anti-COVID, njofton Insajderi.

Vitia ka konfirmuar se janë drejtë rrugës për të pranuar vaksinat, por që nuk mund të tregojnë më shumë detaje për shkak të konfidencialitetit.

Ai theksoi se numri i testimeve është rritur për 13.64 për qind, duke krahasuar me testimet e bëra për 20 ditët e fundit para se të merrte postin e ministrit.

“Nëse krahasojmë 28 ditët e kabinetit të ri të MSH, nga data 23 mars deri më 19 prill janë testuar 111 mijë e 536 raste. Kurse në 20 ditët paraprake nga data 23  shkurt deri më 22 mars 2021 janë testuar 98 mijë e 140 raste, do më thënë  13.64 % është testuar më shumë në këtë periudhën e fundit”, tha Vitia.

I pari i Shëndetësisë pohoi se testimet janë duke vazhduar në bazë të kritereve të vendosura nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Sipas Ministrit Vitia, masat anti-COVID do të vazhdojnë të përditësohen çdo dy javë, ndërsa bëri të ditur se ka një ulje të rasteve të reja me Coronaviorus prej 22 për qind, pas masave të fundit.

“Krahas uljes së numrit të rasteve të reja dhe të të hospitalizuarve, kemi edhe rënie të rasteve të vdekjes, pra nga mbi 10 raste, në më pak se 10 raste për dita ditë radhazi. Raporti i fundit, ai i datës 22 prill, flet edhe për raste të uljes së rasteve pozitive për 22 për qind. Tashmë vërehet qartë edhe rritja e numrit të të shëruarve”, deklaroi tutje Vitia. /Insajderi.com