Vitia: Katër nga të mbijetuarit e aksidentit vendosën që të kthehen në Gjermani për trajtim

Vitia: Katër nga të mbijetuarit e aksidentit vendosën që të kthehen në Gjermani për trajtim

Katër nga mërgimtarët të cilët i kanë mbijetuar aksidentit tragjik që ndodhi të dielën e 25 korrikut në Kroaci, kanë kërkuar të kthehen në Gjermani për trajtim të mëtutjeshëm, njoftoi Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përcjell Insajderi.

Në një konferencë të përbashkët për media me Ministrin e Punëve, Xhelal Sveçla, pas arritjes në Kosovë të të mbijetuarve të aksidentit, Vitia tha se gjashtë të tjerë pritet të lirohen ditëve në vijim – të enjten ose të premten.

Ai theksoi se gjendja e të liruarve është stabile.

“Nga ky aksident ka mbetur të vdekur 10 persona, fillimisht 43 kanë qenë të hospitalizuar. 28 veta janë liruar nga spitali, dhe 15 të tjerë po vazhdojnë trajtimin në Kroaci. Njëri nga pacientët është transferuar në spitalin e Zagrebit, fatmirësisht gjendja e saj është stabile dhe nevojitet edhe disa ditë që të 15 që po trajtohen atje janë në gjendje stabile, përveç dy personave që janë në Intensivë. Njëri është në gjendje të rëndë, ndërsa tjetri është jashtë rrezikut për jetë”, deklaroi ministri Vitia në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Ai potencoi se shumica e të lënduarve kanë politrauma, thyerje të gjymtyrëve apo të brinjëve në disa raste.

Më tej, i pari i Shëndetësisë ka falënderuar autoritetet kroate për ndihmën e ofruar, derisa tha se angazhimi i autoriteteve kroate ka qenë maksimal.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se 10 trupat e të vdekurve mëngjesin e së mërkurës do të mbërrijnë në Kosovë.

Ai deklaroi se për transportimin e tyre është kujdesur shteti kroat, derisa edhe për të lënduarit kanë dhënë ndihmë të madhe.

“Angazhimi i palës kroate ka qenë që nga kryeministri, e ministrat, por edhe stafi mjekësor atje dhe gjithë qytetarëve mund të themi. Në këtë rast besoj se duhet të shprehim mirënjohje dhe falënderime për këtë ndihmë që shteti i Kroacisë na ka ofruar. Jemi të bindur se po të mungonte sadopak ndihma e tyre, po të vonohej ajo, numri i viktimave do të ishte më i lartë. Prandaj, ne në vazhdimësi kemi shprehur falënderimin tonë por besoj se këtë falënderim ata e kanë ndier prej të gjithë shoqërisë dhe popullit tonë”, u shpreh Sveçla.

Ndryshe, një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa mbi 40 janë lënduar.

Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka njoftuar se në mesin e viktimave të aksidentit është edhe një gjerman.

Shoferit që po voziste në momentin tragjik, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./Insajderi.com