Vitia: MSH do të ndihmojë me barna dhe material të nevojshëm komunën e Deçanit për trajtimin e pacientëve të helmuar

Vitia: MSH do të ndihmojë me barna dhe material të nevojshëm komunën e Deçanit për trajtimin e pacientëve të helmuar

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se do t’u dalin në ndihmë qytetarëve të Deçanit të cilët dyshohen që janë helmuar nga uji, shkruan Insajderi.

Vitia në një konferencë për medie, gjatë vizitës që pati në Deçan tha se është përpiluar një listë e barnave esenciale dhe pajisjeve tjera të nevojshme të cilën MSH do ta trajtojë me prioritet.

“Raportet e para kanë qenë shqetësuese, por ka qenë fat i madh që të gjithë pacientët, pas marrjes së trajtimit janë kthyer pa probleme në shtëpitë e tyre dhe pa asnjë rast fatal deri më tani”, tha Vitia.

Ai theksoi se lista me pajisje të nevojshme  është përpiluar nga Drejtoria e Shëndetësisë së Deçanit dhe drejtoria e QKMF-së.

Ai më tej, tha së jo vetëm kërkesa më barna esenciale por edhe për pajisjet e tjera që ka nevojë MSH do ta ndihmojë këtë komunë.

“Tani sa folëm me Drejtorin e QKMF-së dhe Drejtorin e Shëndetësisë së Deçanit, kanë përpiluar një listë që Ministria e Shëndetësisë do ta trajtojë me prioritet, jo vetëm për kërkesën për barnat e listës esenciale, por edhe për pajisje të tjera që kanë nevojë komuna”, deklaroi  Vitia.

Gjatë ditëve të fundit, rreth 900 banorë të rajonit të Deçanit kanë kërkuar trajtim mjekësor pas simptomave që dyshohet se u janë shkaktuar nga uji i pijes.

Deri më tani, bazuar në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë, dy persona kanë vdekur nga kjo situatë, ndërsa mbi 20 të tjerë po trajtohen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.

Kryetari i Komunës gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se ende nuk kanë dalë rezultatet e analizave biologjike që janë dërguar në Institutin e Shëndetit Publik në Pejë, por që dyshohet se ky helmim ishte i qëllimshëm.

Të martën e 13 korrikut është shpallur gjendje emergjente në këtë komunë nga kryetari Bashkim Ramosaj, vendim ky i cili është marrë në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse të Statutit të Komunës së Deçanit./Insajderi.com