Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media të mbajtur sot, ka njoftuar lidhur me situatën e krijuar së fundmi me pandeminë COVID-19 në vend, ku tha se nga data 12 shtator do të ketë vaksinim edhe gjatë të dielave, njofton Insajderi.com.
Vitia në këtë adresim për shtyp shtoi se 170 persona kanë vdekur brenda një jave, prej të cilëve 149 kanë qenë të pavaksinuar.
“Deri në momentin që po flasim janë administruar gati 900 mijë vaksina, teksa kemi rreth 600 mijë qytetarë që kanë marrë së paku një dozë të vaksinës. Duke filluar nga data 12 shtator do të kemi vaksinim edhe të dielave”, tha ai.
I pari i Shëndetësisë më tej tha se 93 për qind e më shumë se 1200 të hospitalizuarve me COVID-19 në spitalet dhe klinikat e Kosovës, janë pacientë që nuk janë vaksinuar kundër virusit.
Vitia më tej, teksa përmendi se mund të ketë valë të reja që mund të pasojnë pas kësaj nëse shmanget vaksinimi, ka përmendur edhe masat e reja që do të hyjnë në fuqi pas 13 shtatorit në disa institucione publike.
“Duke u thirrur edhe në vendimin e të shtunës së kaluar, nga 13 shtatori do të ketë restriksione në institucionet publike. Të gjithë punëtorët që paraqiten në punë duhet të kenë dëshmi si certifikata e vaksinimi, testi PCR jo më të vjetër se 72 orë ose testin serologjik jo më të vjetër se 30 ditë, kjo me kohë do të shtrihet edhe në institucionet të tjera. Sot kam kërkuar nga përfaqësuesit institucionalë të lajmërojnë punëtorët e administratës”, ka thënë ai, derisa shtoi se ka kërkuar edhe nga Policia e Kosovës që të bëjnë të ditur listën e zyrtarëve policorë të pavaksinuar deri më tani.
Vitia tha se para 13 shtatorit pritet të ketë një takim paraprak me institucionet kompetente dhe ekspertët, në mënyrë që të vendoset se si të vazhdohet tutje me masat preventive.
“Masat janë në fuqi deri më datë 13 shtator dhe zbatimi i tyre është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të parë efektin e tyre. Para 13 shtatorit do të ketë një takim ku do të raportohen rezultatet e efektshmërisë së këtyre masave për të vazhduar tutje”, tha ai. /Insajderi.com