Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është i përqendruar vetëm në menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Gjatë një konference për media, Vitia u pyet se “kur do ta fillojë fushatën për Prishtinën”.
“Nuk kam folur as edhe një sekondë për fushatën zgjedhore, jam i përkushtuar vetëm në menaxhimin e pandemisë”.
Arben Vitia është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje në garën për kryeqytetin.
Për këtë opozita ka drejtuar gishtin në drejtim të tij, duke pretenduar se “Vitia po e neglizhon luftën ndaj pandemisë”.
Në anën tjetër, Vitia thotë se situata aktuale me pandeminë është si pasojë e variantit delta.
“Duket se në mesin e qytetarëve por jo vetëm është krijuar një ide se ky variant edhe pse po shpërndahet më shpejtë është më i lehtë se variantet paraprake. Me shumë keqardhje më duhet të ju them se kjo nuk është aspak e vërtetë. Ky variant në studimet e fundit tregon se përveç shpërndarjes shumë më të shpejtë se variantet tjera paraprake, është edhe një nga viruset më agresive respiratore për momentin”.
“Shpërndarja e tij është me e shpejt se sa gripi i zakonshëm, dhe ekuivalentë me linë e ujit që është sëmundja më ngjitëse që njehë sot shkenca. Një pjesë e madhe e moshave të reja po kanë simptome edhe të rënda”, ka thënë ai.
Vitia tregoi edhe për planet e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës në përgatitjet e disa skenarëve në lidhje me gjendjen me pandeminë.
“Janë saktë 1 mijë e 269 pacientë tani në klinikat tona të COVID-19 dhe në spitalet tona. Është lajm i mirë që sot pas një kohe nga filloj ky eksplozion i virusit, sot ka pasur më shumë lëshime se sa pranime të pacientëve me COVID dhe kjo na gëzon pa masë. Ka disa ditë, një ose dy javë që janë duke u përgatitur të gjitha skenarët”.
“Natyrisht SHSKUK është duke pritur një takim në MSH për diskutimin e këtyre skenarëve kur do të ndodhin, që të organizojmë edhe spitale ose të karakterit fushor ose të një grumbullim të qytetarëve. Me lajmet që i morëm sot nga SHSKUK, janë lajme që na gëzojnë dhe janë shpresëdhënëse se nuk do të ketë nevojë për një situatë të tilla”. /Insajderi.com