Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se përfundimi i pandemisë së Coronavirusit është larg dhe se variant Delta po përhapet me shpejtësi, njofton Insajderi.
Kështu është shprehur ai në një konferencë për media të mbajtur sot, ku foli për rritjen e rasteve të reja me COVID-19 gjatë ditëve të fundit në Kosovë.
“Pandemia është larg përfundimit dhe duhet ta kuptojmë se hezitimet për t’u vaksinuar do ta përkeqësojnë situatën” është shprehur Vitia.
“Pas një periudhe të konsiderueshme të qetë në vendin tonë dhe për fat të mirë pa raste të vdekjeve të dhënat nga IKSHPK na tregojnë se kemi rritje të rasteve krahas rritjes së numrit të testimeve. Ky numër do te reflektojë në rastet aktive me COVID 19 dhe me këtë edhe që të kemi rritje të rasteve. Ne duhet të veprojmë dhe të përdorim ato mundësi dhe instrumente qe kemi në dispozicion për të parandaluar shpërndarjen e virusit. Sot kur vendi ynë ka vaksina kundër Covid 19 sot kur qytetarët kanë mundësi të zgjedhin vaksinën… nuk ka asnjë arsye për tu mos vaksinuar”, ka thënë ai.
Ministria Vitia më tutje ka bërë të ditur se ato vaksina që u skadon afati deri më 31 korrik tashmë janë dhënë të gjitha.
“Një pjesë e madhe e vaksinave është dhënë nuk e kam informatën e saktë se sa kanë mbetur atyre që iu skadon afati me 31 korrik janë dhënë të gjitha e atyre që iu skadon më 31 gusht janë duke e dhënë shpresojmë që të përfundojnë. Ne do përcjellim trendin ashtu siç do bëjnë edhe vendet e tjera në momentin që kemi situata të qeta do të lehtësohen masat ashtu siç do të ndërmerren masat nëse keqësohet situata”, theksoi ai.
Ai më tutje ka thënë se Prishtina ka numrin të më madh të të interesuarve për t’u vaksinuar, gjersa në komunat të vogla ka një hezitim të shtuar të qytetarëve për t’u vaksinuar.
“Në Prishtinë janë shtuar dhe do vazhdojnë të shtohen kapacitetet. Në anën tjetër kemi filluar që edhe në komunat e veçanta edhe të komunitetit të ndikojmë te qytetarët në informimin e tyre sa më korrekt për të shkuar dhe për të marrë vaksinë”, ka thënë më tutje i pari i Shëndetësisë. /Insajderi.com