Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, thotë se deri në fund të vitit pritet që Kosova t’i ketë rreth dy milionë doza të vaksinës anti-COVID, njofton Insajderi.
Derisa po raporton para Komisionit për menaxhimin e pandemisë dhe procesit të vaksinimit, Vitia ka thënë se procesi i sigurimit të dozave të vaksinës do të vazhdojë edhe më tutje.
“Deri në fund të këtij viti do kemi diku rreth dy milionë doza të vaksinës dhe kjo do të vazhdojë. Deri më tani në Kosovë kanë ardhur 178 mijë doza. Edhe nga Pfizeri janë siguruar mbi 1 milionë e 200 mijë vaksina”, ka thënë ai.
Ministri Vitia ka shtuar se plani i vaksinimit në masë synohet të nis nga 15 qershori, ku sipas tij, vaksinimi do intensifikohet.
“Së fundmi kanë ardhur mbi 100 mijë të kompanisë Pfizer, numri i dozave të siguruara është 163.020 përmes skemës. Kosova ka kapacitet të zinxhirit të ftohtë. Procesi i vaksinimit po vazhdon ga ekipet e trajnuara. Do bëjmë rritjen e stafit në procesin e vaksinimit. Nga 89 ekipe dhe 178 infermierë, do bëhen 190 ekipe shtesë me 400 infermierë”, ka thënë më tej Vitia. /Insajderi.com