Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thirrur në takim kryetarët e komunave për të diskutuar masat e reja shtrënguese që do të zgjasin deri më 13 shtator.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Gazetën Online shqip.com, tha se një ndër masat që do të hyjë në fuqi është shtyrja e fillimit të procesit mësimor deri më 13 shtator.
Ai njoftoi se në këtë mbledhje është diskutuar edhe për ndalimin e veprimtarisë së gastronomisë nga ora 21:30 e tutje, si dhe ora policore që do të hyjë në fuqi nga ora 22:00 deri në orën 05:00.
“Ministri Vitia në këtë takim ka informuar kryetarët e komunave për masat që pritet të ndërmerren deri më 13 shtator, procesi mësimor nuk do të fillojë më 1 shtator por më 13, deri më këtë datë do të diskutohet sërish për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi”, ka thënë ai.
“Kërkesa e Asociacionit të Komunave ishte të shtohej numri i qendrave të vaksinimit, të rritet numri i inspektorëve komunalë, të bëhet decentralizimi i rekrutimit të stafit të ri shëndetësor, pasi kanë marrë rreth 1116, prej orës 21:30 nuk do të lejohet të punojë gastronomia, prej orës 22:00 deri në orën 05:00, do të ketë orë policore”, shtoi Ibrahimi.
Në një takim të mbajtur dje, mes Kryetarit të Odës së Hotelierisë dhe Turizmi, Hysen Sogojeva me Ministrin e Shëndetësie, Arben Vitia, ka njoftuar për masat që pritet të merren dhe që do të vlejnë deri më 13 shtator.
Oda e Hoteliereisë dhe Turizimit ka treguar për masat e mundshme që do të merren, këto janë disa:
• Orari i punës do të reduktohet për një orë nga 22:30 në 21:30;
• Gastronomia do të funksionojë vetëm me hapësirat e jashtme, dhe vetëm 70% të hapësirës;
• Në qendrat tregtare gastronomia nuk do të funksionojë fare;
• Sallat e dasmave, klubet e natës, kinematë dhe të tjera do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbyllura;
• Seminaret dhe konferencat në hapësira të mbyllura mund të mbahen vetëm deri në 30 persona;
• Ora policore do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit. /Insajderi.com