Vitia thotë se edhe po të ishte Kurti do të ndodhte njësoj si me Pacollin

Vitia thotë se edhe po të ishte Kurti do të ndodhte njësoj si me Pacollin

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se nuk ka asgjë politike me rastin e deputeti Behgjet Pacolli për kthimin e tij nga Zvicra.

Ai tha se po të ishte edhe vetë kryeministri Albin Kurti dhe secili qytetar do të veprohej njëjtë për të mbrojtur shëndetin e përgjithshëm.

“Dje rreth orës 10 ose 11 kam marrë informata për këtë punë dhe s’kam pasë asnjë email zyrtar e as telefonatë. Tani kjo gjë është politizuar pa nevojë dhe më shumë sesa që duhet. Bashkë me zëvendësministrin Izet Sadikun nga LDK-ja, me të cilin kemi qëndruar në raporte të jashtëzakonshme, që për çdo rast që ka ardhur në Kosovë dhe që kanë pasë nga ndonjë sëmundje kronike janë vendosur në karantinë. Pjesa tjetër që vuajnë nga një sëmundje potenciale janë nënshkruar nga unë që të mund të vazhdojnë vetizolimin nën betim”.

“Unë vetë kam marrë numrin e telefonit të Pacollit dhe kam provuar 3 apo 4 herë që të bie në kontakt. Kam provuar ta thëras qysh në mëngjes për t’i treguar se procedurat janë këto dhe s’ka nevojë të politizohet dhe të bëhet e madhe. Duhet të dërgohet një email sepse janë masa të paracaktuara”.

Vitia tha se për secilin qytetar dhe të riatdhesuar që vjen lista i dërgohet ekipit mjekësor dhe këtu s’kanë aspak punë personat politikë të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Pacolli si çdo qytetar mund të shkojë në shtëpi dhe të vetëkarantinohet. Me gjithë stafin tim ka qenë marrëveshje e gjithë MSH-që që misioni ynë është mbrojta e jetës së qytetarëve. Në asnjë moment dhe asnjë rrethanë MSH s’ka politizuar asnjë gjë”.

“Edhe Kurti po të ishte, pa asnjë dyshim, secili nga qytetarët do të veprohej njëjtë. Virusi nuk pyet as për ministrin e as kryeministër, as ata që kanë statuse të ndryshme sociale”.