fbpx

Vizat, hiqen si premtim nga fjalori i politikanëve

Vizat, hiqen si premtim nga fjalori i politikanëve

Premtimet e partive politike ndaj qytetarëve të Kosovës për çështje dhe fusha të ndryshme të jetës në vend, tashmë ka javë që kanë nisur, në një lloj para-fushate zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, por asnjë ato, deri më tash, nuk e ka përmendur liberalizimin e vizave, si premtim që mund të realizohet, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane dhe të çështjeve politike.

Jehona Lushaku-Sadriu, politologe dhe njohëse e integrimeve evropiane, thotë se çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nuk është aktualisht në fjalorin elektoral të partive politike, për shkak se të njëjtat parti e kanë përdorë me të madhe këtë çështje si premtim zgjedhor pa mbulesë, për faktin se kjo çështje nuk varej dhe nuk varet edhe më tej nga partitë politike, ndërkohë që premtimet i kanë rritur pritjet e qytetarëve, të cilat nuk janë menaxhuar.

“Prandaj tash, duke qenë të vetëdijshme (partitë politike) dhe duke qenë dëshmitare se nuk kanë arritur ta përmbushin liberalizimin si premtim, si dhe që nuk varet si proces nga partitë politike, por varet tash nga Bashkimi Evropian, ato kanë vendosur që të mos e përdorin në diskursin e tyre gjatë fushatës”, tha Lushaku, shkruan REL.

“Nuk do të habitesha nëse disa parti , që kanë qenë në pushtet herën e fundit, do ta përdorin pak a shumë, por nuk do të shkojnë me premtime që ky proces do të ndodhë menjëherë, për shkak se dihet që nuk ka mundësi të realizohet menjëherë”.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), vlerëson që shmangia e ‘kartës’ së liberalizimit të vizave, si premtim zgjedhor nga partitë politike, tashmë është pasojë e vet historikut të procesit të liberalizimit të vizave gjatë viteve të kaluara, e në veçanti gjatë vitit 2018.

Premtimet se Kosova do ta marrë liberalizimin e vizave në vitin 2018, që ishin bërë nga liderët politikë, por edhe institucionalë, e ka shndërruar këtë premtim, i cili më parë sillte vota për partitë politike, në një bumerang politik që humbë vota.

“Kemi pasur deklarimet e të gjithëve. Tani, në një kontekst të tillë, politikanët e kanë parë që, në mungesë të rezultateve kundër korrupsionit të nivelit të lartë, nuk do të ketë liberalizim të vizave, rrjedhimisht tashmë nuk e përdorin liberalizimin e vizave si premtim elektoral”, tha Shala, shkruan REL.

“Në veçanti, duke pasur parasysh faktet, që gjatë vitit 2019 nuk ka gjasa të ndodhë liberalizimi, ndërkaq që për vitin 2020 është një pikëpyetje e madhe”.

insajderi.com