Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të hënën viziton Kosovën, në kohën kur në veri është një situatë e tensionuar dhe Prishtina e Tirana kanë divergjenca për sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”.
Rama gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, të shtunën – refuzoi t’i cilësojë marrëdhëniet me Kosovën “në nivelin më të ulët të mundshëm”, sipas tij raportet Tiranë – Prishtinë janë në një “gjendje normale”.
“Natyrisht që marrëdhënia mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe asnjëherë nuk është mjaft të thuhet që është e mirë, pasi mund të jetë gjithmonë më e mirë”, ka thënë Rama.
Drejtuesit e shteteve shqiptare shpesh kanë pasur “përplasje fjalësh” në distancë.
Së fundi “mollë sherri” u bë “Ballkani i Hapur”, saktësisht gjatë vizitës së kancelares Angela Merkel në Tiranë.
Aty Rama, kishte thënë se “Kosova po merret me teori konspirative sa i përket nismave rajonale”.
“Nuk e di për çfarë konspiracionesh e ka fjalën Rama”, ishte kundërpërgjigja e Kurtit.
Por, ky i fundit vendosi ta urojë Ramën për fillimin e punës në krye të ekzekutivit për herën e tretë.
Përmes letrës, Rama ishte ftuar që ta vizitojë Kosovën. Ftesë e pranuar.
Dy ditë para kësaj vizite, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, i ka kërkuar Serbisë të largojë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën.
Megjithatë, bashkë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, Shqipëria vendosi t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”.
Edhe të hënën pritet që të ketë diskutim mbi këtë nismë rajonale, pasi Rama të shtunën theksoi se “divergjencat me Kosovën janë një mundësi më shumë për diskutim”. /Shqip.com