Vizita e zyrtarëve të Mamushës në Prizren i kushton shtetit 7 mijë euro

Vizita e zyrtarëve të Mamushës në Prizren i kushton shtetit 7 mijë euro

Nëse shkon nga Mamusha në Prizren me veturë udhëtimi zgjatë jo më shumë se 30 minuta në 20 kilometra rrugë sa është distanca mes këtyre dy vendeve.

Por një grup i zyrtarëve të Komunës së Mamushës, numri i të cilëve nuk është bërë i ditur, do të qëndrojnë në Prizren në një hotel në qendër të këtij qyteti.

E akomodimi i këtyre zyrtarëve të Komunës së Mamushës në Prizren do të kushtoj fiks 7 mijë e 490 euro, raporton Insajderi.

Sipas njoftimit për dhënien e kontratës që është publikuar të premten nga KRPP, shihet se tenderi ka qenë një burimor, duke pasur vetëm një ofertë.

Në këtë dokument është shkruar se numri i tenderëve të pranuar ka qenë vetëm një, dhe ai ka qenë Hotel Centrum që gjendet në Prizren, në zonën e vjetër të qytetit.

Nuk është bërë e ditur se cila është arsyeja e kësaj vizite të zyrtarëve të Komunës së Mamushës, e cila drejtohet nga kryetari  Arif Bütüç që vjen nga partia turke KDTP. Mamusha banohet kryesisht me qytetar të nacionalitetit turk dhe është një nga komunat më të vogla në Kosovë.

As në uebfaqen e Komunës nuk ekziston ndonjë informacion në lidhje më këtë vizitë e cila pritet të ndodhë këtë muaj, pasi data e planifikuar për nënshkrimin e kontratës është vendosur të jetë 22 maji.

Lajmet e fundit të vendosura në faqen zyrtare të kësaj komune janë ato të muajit shkurt./Insajderi.com