
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë sot se nuk ka marrë leje as nga NATO, e as nga askush tjetër, për realizimin e vizitës së tij në veri të Kosovës të shtunën.
Thaçi, i cili vizitoi pikën kufitare në Bërnjak dhe liqenin e Ujmanit të shtunën, u shpreh se kjo nuk ishte vizita e tij e parë në veri. Tha se në veri të vendit ka qenë edhe herë të tjera, dhe se nuk ka marrë leje “dhe nuk do të marrë asnjëherë nga askush për një vizitë të tillë”.
“Kosova është shtet i lirë. Është një dhe unik; demokratik dhe i lirë. Është një shtet i qytetarëve. Dje, edhe një herë, sikur herave të tjera, kam vizituar pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe do të vizitojë edhe herë të tjera. Kurrë nuk do të marrë leje, e as që kam marrë leje nga askush për një vizitë të tillë”, u shpreh Thaçi në një konferencë për media të dielën.
Thaçi u shpreh se banorët e komunitetit serb në veri të Kosovës e kanë mirëpritur atë me kafi dhe raki në shtëpitë e tyre.
“Më pas vizitova liqenin e bukur të Ujmanit. Siç e dini, vizita kaloj në mënyrë krejt normale dhe nuk është përcjellur me asnjë incident apo problem të sigurisë, as më t voglin. Përkundrazi, jam pritur ngrohtë edhe nga banorët lokalë; serbët e Kosovës prezent aty, që banojnë aty, të cilët më kanë mirëpritur edhe me kafe edhe me raki shtëpie”, u shpreh Thaçi. /Insajderi.com