Vjen reagimi i NATO-s pas deklaratave të Vuçiqit ndaj Kosovës

Vjen reagimi i NATO-s pas deklaratave të Vuçiqit ndaj Kosovës

Ndonëse u kërkuan reagime lidhur me deklaratën e sotme të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, I cili tha se mund të ketë një konflikt nëse përpjekjet për paqe me Kosovën dështojnë, nga NATO nuk kanë pranuar të komentojnë këto deklarata, njofton Insajderi.

Zyrtarë të NATO-s thonë se “misioni i KFOR-it (në Kosovë), i udhëhequr nga NATO-ja, mbetet plotësisht i përqendruar në zbatimin e mandatit nga Kombet e Bashkuara, për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, raporton REL.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndihmën e BE-së, si zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha një zyrtar i NATO-s.

Vuçiq gjatë ditës së sotme deklaroi se zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut, në të kundërtën, sipas tij, mund të ndodhë ndonjë konflikt i llojit të Nagorno Karabakut.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, tha se pret që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të reagojnë ndaj “kërcënimit” të Vuçiqit për “luftë të dhunshme”, ndërsa kryeministri Avdullah Hoti tha se deklarimet e presidentit të Serbisë nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. /Insajderi.com