Iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për votimin e mundshëm plotësim-ndryshimin të Ligjit për Zgjedhje po quhet si shantazh direkt nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Me një reagim publik, LDK thotë se kjo është formë e rrezikshme e shantazhit dhe se zgjedhjet janë rruga më e rëndë për vendin.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me vëmendje nismat e orëve të fundit të deputetëve të pushtetit dhe e konsideron absolutisht të ngutshëm vendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, marrë parasysh faktin që Kosova sapo ka kaluar këtë proces dhe sapo ka konstituar legjislaturën e re”.
Tutje në komunikatë thuhet se “LDK vlerëson lart konributin e mërgimtarëve tanë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës dhe beson se secili qytetar i saj, kudo që është, duhet ta ketë të drejtën për të zgjedhur dhe për të votuar”.
“Prandaj, një e drejtë e tillë, dhe një ligj kaq i rëndësisëhm, nuk guxon të shndërrohet në mjet shantazhi politik të brendshëm. LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”.
Më pas në komunikatën e LDK-së thuhet se “përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të Zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por, është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jokorrekte dhe jostabilitetit”.
“Pushteti i sapoardhur, do të duhej që gjithë energjinë e vet ta drejtojë tek zgjerimi i konsensusit; sidomos kur një konsensus i tillë ishte i mundshëm. Shantazhi e kërcënimi për zgjedhje, ndërsa, mbesin mjete që qëllimisht nuk duan zgjidhje por zgjedhje. Në vend të adresimit të problemeve jetike për vendin tonë, në vend të menaxhimit të pandemisë e vaksinimit të popullsisë, në vend të stabilitetit politik kaq të domosdoshëm, pushteti po kërkon rrugën më të rëndë të vendit” thuhet në reagimin e LDK-së”./Insajderi.com