Vjetërsohet lënda e kërcënimit “me prerje koke” ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi

Vjetërsohet lënda e kërcënimit “me prerje koke” ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar se aktakuza e Prokurorisë Themelore e Prishtinës e ngritur me datë 14.10.2013 ndaj Enver Sopjanit i cili e kishte kërcënuar gazetarin, Vehbi Kajtazi, ka arritur afatin e parashkrimit.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të marrë më datë 28.02.3018, bëhet e ditur se ndjekja penale ndaj të pandehurit Enver Sopjanit, ka arritur parashkrimin absolut dhe si e tillë aktakuza e Prokurorisë Themelore të Prishtinës është hedhur poshtë si e vjetërsuar nga ana e gjykatës.

Në arsyetimin e këtij vendimi, gjyqtari i kësaj çështje gjyqësore, Agim Kuçi, ka bërë të ditur se kjo lëndë e ka arritur parashkrimin absolut të ndjekjes penale më datë 06.12.2017.

“Gjyqtari i vetëm gjykues pas pranimit të përgjigjes lidhur me kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës nga ana e Prokurorisë së Shtetit dhe pas shqyrtimit dhe vlerësimit të shkresave të saj, pas rikualifikimit të veprës penale nga ana e Prokurorisë konstatoj se në rastin konkret ka arritur afati kohorë i parashkrimit absolut i ndjekjes penale”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e gjykatës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës konsideron se një praktikë e tillë nga ana e pushtetit gjyqësor, duke i lënë rastet e gazetarëve me vite të tëra në sirtarët e tyre, përveç që është në kundërshtim më parimet juridike për një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme, mos zgjidhja e këtyre lëndëve ndikon drejtpërsëdrejti edhe në sigurinë dhe jetën e gazetarëve.

AGK i bënë thirrje institucioneve të drejtësisë, në këtë rast Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës, që rastet ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet dhe seriozitet maksimal dhe kryerësit e veprave penale ndaj gazetarëve të marrin dënimin e merituar.

Profesori i Universitetit të Prizrenit, Enver Sopjani, ka kërcënuar të enjten gazetarin e “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi “me prerje koke”.

Enver Sopjani i cili është profesor në Universitetin e Prizrenit kishte kërcënuar gazetarin, Vehbi Kajtazi “me prerje koke”.

“Kam me ta q… nanën, kam me ta pre kryet me zhiletë”, ka kërcënuar ai në restorantin “Rings” në Prishtinë. “Ju jeni kundër atyne që kanë luftu për këtë vend e ti e ke ik b… nuk ke nejt këtu. Ai ta ka çliru vendin e tash me shkru e me shpif”, kishte sharë dhe fyer gazetarin Kajtazi. /Insajderi.com