“Vjosa duhet të bëhet Presidente se ky është vullneti i qytetarëve, Ligji për Zgjedhje duhet të ndryshohet për të dhënë fund segregimit të diasporës”.
Kështu ka deklaruar drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, teksa ka shtuar se asnjë nga këto nuk duhet të bëhet si “kontrabandë në terrin e natës, por si festë në piken e ditës”.
Sipas tij, edhe Qeveria Kurti që po përpiqet të ndryshojë Ligjin për Zgjedhje, por edhe opozita që po e kundërshton Vjosa Osmanin për presidente të vendit, po bëjnë kalkulime politike.
“Profiterat e të dy kampeve po bëjnë kalkulimet e veta. Ndërsa të vetmin kalkulim që po bëjnë qytetarët është që për dy javë në Kosovë kanë vdekur 134 qytetarë, ndërsa 10,013 janë infektuar”, ka shkruar Shasha në profilin e tij ën Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje mbrëmjen e së premtes ka thirrur seancë plenare në Kuvendin e Kosovës për të ndryshuar Ligjin për Zgjedhje, nismë kjo e kundërshtuar nga opozita. Propozimi për ndryshimin e këtij ligji nuk ka arritur të kalojë në shqyrtim të parë. Nga VV-ja kanë deklaruar se pas përfundimit të kësaj seance do të mbahet ajo për presidentin, nëse ka vullnet të deputetëve që të qëndrojnë në sallë./Insajderi.com