Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me tre ish-presidentët; Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli e Atifete Jahjaga, të hënën bënë homazhe te shtatorja e ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
Homazhet u bënë me rastin e shënimit të 24 majit-Ditës së Presidentit.
Me këtë rast, presidentja Osmani u shpreh se Rugova “ishte arkitekt i shtetit të Kosovës dhe që ndikoi në bashkimin e mbarë popullit”.
Sipas saj, zgjedhjet e para presidenciale të 24 majit të vitit 1992, shënuan themelimin e institucioneve të para të Kosovës dhe ishin mesazh i qartë i qëllimeve të popullit për liri dhe pavarësi.
“E filluam ditën duke e nderuar arkitektin e shtetit tonë, njeriun që e bëri bashkë popullin e Kosovës. Tri dekada më herët qytetarët treguan se cili ishte qëllimi i tyre për shtet të pavarur, ishin zgjedhjet e para që u themeluan institucionet e para”, theksoi Osmani.
Ndërkaq, ish-presidenti Fatmir Sejdiu tha se Rugova ishte ikonë e pamposhtur e të gjitha kohëve.
“Kjo ditë tregon mundin se si Kosova ka ndërtuar institucionet e veta”.
Ish-presidentja Jahjaga tha se secili nga presidentët që ka udhëhequr me Kosovën ka kontribuar në interes të proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi.
Sipas saj, Rugova e udhëhoqi vendin në periudhën më të rëndë, kur edhe rrezikohej shfarosja e popullit.
Edhe ish-presidenti Behgjet Pacolli tha se presidenti historik Ibrahim Rugova dha kontribut të madh për Kosovë./Insajderi.com