Vjosa Osmani garon në listë të përbashkët me Vetëvendosjen

Vjosa Osmani garon në listë të përbashkët me Vetëvendosjen

Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të jetë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit, njofton Insajderi.

Këtë e bëri të ditur lideri i VV-së, Albin Kurti në konferencën e sotme të mbajtur së bashku me Osmanin, ku tha se sapo kanë nënshkruar marrëveshjen për të garuar bashkë në një listë.

Kurti tutje tha se vendi ka nevojë sikurse për një kryeministër të ri edhe për një presidente të re, e cila tashmë veçse është në detyrë.

“Sot kur na ndajnë një muaj nga zgjedhjet e reja jemi të gëzuar dhe kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se do të garojmë bashkë në një zyrë. Presidentja në detyrë dhe unë ish-kryeministri do të na gjeni në të njëjtin vend dhe të njëjtin qëllim”, ka thënë ai.

“Vendi ka nevojë për kryeministër dhe presidentë te re. Në këto zgjedhje që janë referendum duhet ta ligjetimojmë këtë. Kemi shumë punë përpara por edhe një fitore të madhe”, tha tutje Kurti.

Nga ana tjetër, Osmani e cila fillimisht iu drejtua Kurtit me fjalën “Urdhëro Kryeministër”, për të marrë fjalën ky i fundit që edhe e dha lajmin për bashkimin e këtyre dy figurave për garim të përbashkët, u shpreh e bindur se do të fitojnë bashkë.

Ajo tutje shtoi se marrëveshja e nënshkruar në hollin e Kuvendit të Kosovës, ka qëllime të përbashkëta – për të luftuar korrupsionin e për sundimin e ligjit.

“Kjo marrëveshje ka qëllime të përbashkëta, luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit, barazi për të gjithë. Jemi të vendosur për të luftuar për një shtet pa korrupsion, për secalin nga ju”, ka thënë ajo.

Osmani njoftoi se kërkon që posti i Presidentes t’i takojë asaj.

“Do të jem unë personi që do ta kërkoj legjitimim të presidentes. Pra një president që ka legjitimitet popullor do ta përfaqësojë në mënyrë të denjë këtë institucion”, ka thënë ajo.

I pyetur nëse do të ketë vija të kuqe me partitë tjera pas zgjedhjeve të 14-shkurtit, lideri i VV-së, Albin Kurti thotë se nuk mund t’i përgjigjet një pyetjeje të tillë.

“Pyetje të vitit 2019 unk mund t’i japë përgjigje të vitit 2019. mund të flasim më për prularitet partish, por për referendum”, thotë Kurti.

Në fund të kësaj konference, Kurti u pyet për planin B në rast se i refuzohet pjesëmarrja në zgjedhjet e e jashtëzakonshme që do të mbahen muajin tjetër. Përgjigja e tij ishte se pengesat të cilat mund të dalin rrugës nuk janë të patejkalueshme.

“Pengesat e ndryshme me siguri që dalin rrugës, por ato nuk na ndalin asnjëherë, qofshin të aspektit të interpretimit juridik apo politike. Nuk ka më pengesa që janë të patejkalueshme. Nuk mund të përgjigjem me nëse, sepse s’ka pengesa që na ndalin më”, shtoi Kurti./Insajderi.com