Vjosa Osmani infektohet me COVID-19

Vjosa Osmani infektohet me COVID-19

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh edhe kryeparlamentare, është infektuar me COVID-19, njofton Insajderi.

Lajmin e bëri të ditur vetë Osmani me anë të një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se në dy javët e ardhshme do të punojë nga shtëpia.

Ajo tha se rezultoi pozitiv me Coronavirus, pasi disa të afërm me të cilët ka pasur kontakt janë infektuar, ndërsa pas testimin në IKSHPK u njoftua se edhe ajo është prekur nga virusi Corona.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar qytetarë!

Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv.

Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike.

Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar.

Mirëmbetshi e shëndet të gjithëve!

Vjosa. /Insajderi.com