Vjosa Osmani: Isa Mustafa merr instruksione nga Veseli e Thaçi

Vjosa Osmani: Isa Mustafa merr instruksione nga Veseli e Thaçi

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ashpër kryeministrit Isa Mustafa, i cili të shtunën gjatë paradites e akuzoi ata se është frikësuar nga Lëvizja Vetëvendosje për të marrë pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit të ri.

“Kush po na flet për frikësim? Njeriu që me një lëvizje të vetullave të Thaçit kërcente përpjete për t’ju vërsulur deputetëve të tij”, ka thënë Osmani.

Ajo i ka quajtur sulmet e liderit të saj partiak si banale.

“E mendoja qe disa orë nëse ja vlenë të merrem me sulmet banale të KM Mustafa. Nëse asgjë tjetër, deri tani, karshi sulmeve e linqimeve të tij (dhe hienave të tij), nuk kam reaguar shpesh për shkak të bashkëpunimit që kemi pasur, besimit që (gabimisht) kam pasur në të, por edhe për shkak të moshës që ka. Por MJAFT është MJAFT”, ka vazhduar ajo.

Sa i përket akuzës së Mustafës se ajo ka shkuar në Australi si pasojë e frikës për të qenë në kuvend, Osmani ka thënë se është vetë Mustafa ai që ka frikë.

“Për frikësim po na flet njeriu që nuk ndihet mirë të pijë kafe e të takohet me qytetarë nëpër Kosovë se mos po takohet me ndonjë nga votuesit e LDK-së, të cilët i tradhtoi dhe vazhdon t’i tradhtojë. Por nuk ndihet i lirë as tek ata që e mbajtën në Gjermani e gjetiu në diasporë, sepse ua mbylli derën veprimtarëve shumëvjeqarë të diasporës në LDK, të cilën e kishin mbajtur partinë tonë dhe Kosovën gjallë”, ka shtuar Osmani që është femra më e votuar në LDK dhe në Kosovë.

“Kush po na flet për instruksione? Ai që ato i merr nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli, dhe për këtë madje mburret. Njeriu për të cilin Thaçi na qenka shteti, dhe parandalimi i bërjes së Thaçit president, çuditërisht na qenka rrënim i shtetit”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se mungesa e saj në seancën e zgjedhjes së Hashim Thaçit president nuk ka të bëjë me frikë apo marrje të instruksioneve nga akush.

“Ka 1 vit që kam paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në seancën ku zgjedhet Thaci dhe se e vetmja mënyrë për të parandaluar këtë skenar do të ishte pamundësimi i kuorumit. Dje kam mundur të jem kudo, por assesi në atë seancë të turpit”, ka shkruar ajo./Inasjderi,.com