Vjosa Osmani ndanë Medalje Presidenciale për njësitin për Kërkim Shpëtim të FSK-së dhe për një regjisore

Vjosa Osmani ndanë Medalje Presidenciale për njësitin për Kërkim Shpëtim të FSK-së dhe për një regjisore

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të 13 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka ndarë sot dy medalje presidenciale, njofton Insajderi.

Medalja Presidenciale Ushtarake është ndarë për Njësitin e Kërkim Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për kontributin e tyre në fushën e mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Ky Njësit, për vite me radhë është shquar me punën e tij në misione të ndryshme të kërkim-shpëtimit, brenda dhe jashtë vendit.

Kurse, regjisorja Blerta Basholli është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontribut në fushën e kulturës. Filmi ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli ka fituar tri çmimet kryesore të festivalit  të madh të filmit në SHBA, Sundance Film Festival.

Ceremonia e ndarjes së Medaljeve Presidenciale do të organizohet në ditët në vijim, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës./Insajderi.com