Vjosa Osmani: Nënat vetushqyese kanë nevojë për mbështetje e jo paragjykime

Vjosa Osmani: Nënat vetushqyese kanë nevojë për mbështetje e jo paragjykime

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me gjendjen në të cilën ndodhen nënat vetushqyese, duke thënë se shumë prej tyre përballen me diskriminim shoqëror, duke ua pamundësuar, ndër tjerash, të përfitojnë edhe nga ndarja e pasurisë, njofton Insajderi.

Ajo në një status në Facebook ka shkruar se proceset gjyqësore rëndojnë gjendjen e këtyre nënave dhe krijojnë ambient për manifestim e akteve të dhunës në familje, të cilat në disa raste përfundojnë edhe me humbje të jetës.

“Nënat vetushqyese kanë nevojë për mbështetje e jo paragjykime. Trajtimi i barabartë i secilës nënë, por në raste të caktuara edhe baba si prind vetushqyes, është domosdoshmëri për një shoqëri e cila nuk synon të udhëhiqet nga idetë izoluese, por nga ato të gjithëpërfshirjes, solidarizimit, inkurajimit dhe bashkëpunimit. Koncepti i familjes dhe pikëpamjet filozofike mbi raportet familjare kanë evoluar, e ngjashëm duhet të avancojë respekti, konsiderata dhe përkrahja e nënave vetë-ushqyese në çdo rreth e organizim shoqëror”./Insajderi.com