Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, “nuk e ka shkelur Kushtetutën”, kështu deklaroi të hënën këshilltari i Osmanit, Artan Murati, njofton Insajderi.
Është raportuar se, Vjosa Osmani, ka bërë shkelje kushtetuese në rastin e shkarkimit të katër konsujve në misione diplomatike javën e kaluar.
Këto pretendime janë bazuar në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2012.
Në atë aktgjykim thuhet se “Ushtruesi i detyrës se Presidentit te Republikës së Kosovës ushtron te gjitha kompetencat e Presidentit me përjashtim te: 6 (1) propozimin e amendamenteve Kushtetuese; (2)shpalljen e gjendjes se jashtëzakonshme, pa miratimin e Kryeministrit; (3) emërimin dhe shkarkimin e gjyqtareve dhe te prokuroreve te Republikës së Kosovës; (4) emërimin dhe shkarkimin e shefave te misioneve diplomatike te Republikës se Kosovës; (5) shpalljen e faljeve individuale, dhe (6) dhënien e medaljeve, mirënjohjeve dhe të çmimeve”
Por, këshilltari i Vjosa Osmanit, tha se ky amendament asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi.
“ U.d. e Presidentes, znj. Vjosa Osmani, NUK ka shkelur Kushtetuën. Këto amendamente kushtetuese, të cilave u janë referuar portali në fjalë, asnjëherë nuk janë votuar e as nuk kanë hyrë në fuqi. Pra, kanë mbetur vetëm propozim-amendamente, pa u materializuar”, theksoi ai.
“Përderisa nuk ka asnjë amendament kushtetues i cili miratohet në Kuvend dhe i cili i kufizon kompetencat e u.d. të Presidentit, atëherë u.d Presidentja vishet me të gjitha kompetencat kushtetuese të Presidentit në momentin që fillon ushtrimin e detyrës”, deklaroi Murati përmes një postimi në Facebook. /Insajderi.com