Suksesin e një grupi studentësh nga Universiteti i Prishtinës në një garë ndërkombëtare në fushën e së drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit ndërkombëtar në Vjenë, e ka shfrytëzuar për promovim politik, Vjosa Osmani, deputete e LDK-së.
Osmani, e cila ishte bashkë-udhëheqëse e ekipit të studentëve të UP-së së bashku me ligjëruesen Donika Qerimi, përmes një shkrimi të sponzoruar në faqen e saj të rrjetit social Facebook, e ka promovuar punën e saj si ligjëruese.
Madje, shkrimin për suksesin e studentëve të UP-së, Osmani e ka sponzoruar në faqen e saj që figuron si “politikane” në Facebook.
“Në garë me 380 universtetet më të mira në botë, këta studentë shkëlqyen duke e rradhitur Kosovën dhe Universitetin e Prishtinës në top 15% të universiteteve garuese në Willem C. VIS, garë nga fusha e të drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit ndërkombëtar”, ka thënë Osmani, në shkrimin të cilin e ka sponzoruar në faqen e saj në Facebook.
“Krenari e kënaqësi e jashtëzakonshme për mua e Donikë Qerimin që punuam me këta studentë të talentuar dhe me shumë të tjerë përgjatë këtyre 17 viteve që angazhohemi për këtë sukses e për këtë moment”, ka thënë Osmani.
Por, Osmani thotë se faqen e saj në Facebook e përdor edhe për aktivitete jopolitike.
E pyetur nga Gazeta Online Insajderi nëse ka ndihmuar studentët në këtë garë si deputete e LDK-së apo si ligjëruese e UP-së, Osmani ka thënë se ka ndihmuar në cilësinë e ligjërueses, ndonëse punën e saj me studentët e promovoi edhe si politikane.
“Une s’kam faqe të veçante në FB në cilësinë e ligjërueses”, ka thënë Osmani, megjithëse shkrimin për studentët ka mundur ta publikonte edhe në profilin e saj privat në Facebook.
“E kam një faqe që e shfrytëzoj edhe për aktivitete politike, edhe foto familjare, edhe njoftime akademike, edhe për të përkrahur sukseset e studentëve tanë në çdo fushë, edhe të sportistëve e kengetarëve”, ka deklaruar Osmani për Insajderin.
“Pra çdoherë që studentët tanë kanë sukses nuk hezitoj aspak që të promovojë maksimalisht suksesin e tyre që ta shohin sa me shumë njerëz në Kosovë e jashte saj. Edhe faqja ime ne FB edhe llogaria në Twitter dhe Instagram sqarojnë që perveç që jam politikane jam edhe ligjëruese”, ka thënë Osmani. “Prandaj, lajmet e mira për Kosovën duhet të shpërndahen maksimalisht”. /Insajderi.com