Fuqia e zbehtë e rezolutës për rrëzimin e murit

Rezolutave të Kuvendit për çështje të caktuara vazhdimisht po u humbë kuptimi. Rezoluta e 29 dhjetorit 2016 për rrëzimin e murit në veri pothuajse nuk do të zbatohet marrë parasysh se deri sonte në mesnatë do të duhet të jetësohej.

Fuqia e zbehtë e rezolutës për rrëzimin e murit

Zhvillimet e dy-tre muajve të fundit u kanë nxjerrë punë deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për to. Debate të ashpra e fyese i kanë shoqëruar ato. Megjithatë, pjesa më e madhe e çështjeve të diskutuara janë përmbyllur me rezoluta.

Miratimi i tyre i shpeshtë ka bërë që të zbehet roli i tyre. Madje ekspertët thotë se ato nuk janë të obligueshme për Qeverinë.

Iniciuesi i rezolutës së 29 dhjetorit 2016 për rrëzimin e murit në veri të Mitrovicës, Pal Lekaj (AAK), thotë të jetë i zhgënjyer me mosveprimin e organeve të shtetit në këtë drejtim.

“Rezoluta është miratuar unanimisht nga të gjitha grupet parlamentare dhe nuk e di pse negociohet rrënimi i murit, kur krejt krerët e shtetit e kanë thënë që muri është ndërtuar ilegalisht, prandaj rezoluta duhet të implementohet në përpikëri, dhe muri duhet të rrënohet pa negociuar me askënd”, ka thënë Lekaj.

Moszbatimin e saj ai e ka quajtur si një tjetër mashtrim i Qeverisë së Kosovës për opinionin.

Por analistët vlerësojnë se rezolutat e Kuvendit nuk janë të obligueshme për Qeverinë, edhe pse rekomandojnë që ato të zbatohet, pasi që janë nzjerrë nga organi më i lartë legjislativ në vend.

Albert Krasniqi, monitorues i Kuvendit të Kosovës nga KDI, thotë se rezolutat që miratohen në Kuvendin e Kosovës nuk kanë ndonjë detyrim për zbatimin e tyre.

“Rezolutat që miratohen në Kuvendin e Kosovës nuk kanë ndonjë detyrim për zbatim për shkak se janë të llojit “non-binding”. Megjithëkëtë, rezolutat do të duhet të respektohen dhe të përfillen nga institucionet vendore të cilave u drejtohen, për të cilat Kuvendi ka mandat që t’i mbikëqyre”, thotë Krasniqi për Insajderin.

Edhe nëse nuk respektohen rezolutat, sipas Krasniqit, nuk ka ndonjë masë sanksionuese për ata që nuk i kanë zbatuar. Ai thotë se, krejt çfarë mund të bëhet është që Kuvendi t’i kërkojë Qeverisë zbatimin e saj.

“Nëse nuk respektohet, nuk ka ndonjë masë sanksionuese për ata që nuk e kanë zbatuar. Përgjegjësia e Kuvendit në ketë rast është t’i kërkoi Qeverisë zbatim”, ka shtuar Krasniqi.

Ende nuk ka marrëveshje për rrënimin e murit

Përfaqësuesit e Qeverisë dhe ata të komunës së Mitrovicës së veriut ende nuk kanë arritur marrëveshje për rrënimin e murit të ndërtuar matanë urës së lumit Ibër në Mitrovicë.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka thënë sot se nuk është arritur ndonjë marrëveshje me delegacionin nga Prishtina për prishjen e murit pas insistimeve të përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës.

“Nuk ka pasur marrëveshje, përveçse të dyja palët të përmbahen nga retorika nxitëse dhe veprimet e njëanshme që mund të rrezikojnë të gjithë procesin e dialogut të Brukselit”, citohet të ketë thënë Rakiq për mediet e Serbisë.

Sinjale të njëjta vijnë edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Shefja e Zyrës së BE në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se ende nuk është arritur marrëveshje për murin në veri.

“Do të jem e lumtur nëse arrihet marrëveshje për murin në Mitrovicë. Por për këtë çështje ende nuk është rasti”, ka shkruar ajo në Tëitter.

Megjithatë, ajo shpreson se shpejt do të gjendet zgjidhja.

“Diskutimet vazhdojnë dhe unë shpresoj se do të gjendet së shpejti”, ka shtuar ajo./Insajderi.com