Vlerat e Evropës dhe Borka

Shkruan: Idro SEFERI

Vlerat e Evropës dhe Borka

Shovinizmi dhe mbi të gjitha mendjet sipërfaqësore kanë sjellë eksperimente në tërë Evropën. Tani askush nuk e dëgjon askënd dhe të gjithë gjejnë një arsye të pa bazë për të vazhduar me ide primitive. Bashkimi Evropian ka në parim një politikë për unifikimin e shteteve rreth një vatre vlerash. Por, as brenda e asaj jashtë unionit kjo ka fërkime dhe rezistenca. Problemi ndoshta është te sinqeriteti dhe mungesa e idesë. Gjithmonë duket sikur diçka paralele zhvillohet njëkohësisht me këto pohime

Borka Pavicevic, ka qenë gjithmonë një grua e buzëqeshur. Kështu shpesh e veshur me sandale, çorapë të kuqe, fustan të gjatë e flok të thinjura për të cilat është kujdesur, bashkë me byzylykët e rruazat shndëritëse. Kur të ka përqafuar për përshëndetje të ka shikuar disi me një distancë centimetrash. Kënaqësinë e saj për ta parë diku dhe komentin e pafund si mbështetje për atë që ke bërë e ke parë pa ta thënë asnjë fjalë. Kështu njësoj se ke kuptuar kur Borkës nuk i ka pëlqyer diçka. Borka nuk ka lejuar fjali ose konstatime të përgjithshme, të pasakta, injorante ose standard. Ajo vetvetiu ka qenë avangardë. Gruaja e bregdetit si valët e Kotorit në Mal të Zi, ku kishte lindur. Dramaturge në Beograd dhe një aktiviste kulturore do të shpërthente çdo kohë nga qetësia e saj e thellë diku nga ulëset e kuqe të publikut në sallën e madhe të Qendrës për Dekontaminim Kulturorë. Kjo fushë, pra kultura, paradoksalisht ka qenë mjet urrejtjesh por edhe përafrimi. Këtë po mundohesha t’ua tërheq si vëmendje atyre që në një konference e lanë të fundit. Të gjithë ata që kanë qenë ndryshe në Ballkan dhe kanë marrë erë kulturë kanë qenë një herë të paktën në oborrin idilik të kësaj qendre -CZKD, me pemë, shtëpi të vjetër e një shpirt ku kanë gumzhirë artistët. Për tre dekada kjo grua që e ka pas vërtetë me kulturën i kishte rezistuar “main streamit” apo linjës së përgjithshme dhe nuk i ishte bërë vonë. Borka ua ka thënë të mirën dhe të keqen të gjithë atyre drejtpërdrejt edhe në media. Kjo grua shpëtoj lidhjet e vetme kulturore në mes të popujve të urryer, hapi ekspozita kontroverse për kohën që jetojmë, koncerte, tubime politike e pafund e ngjarje nga të gjitha vendet e rajonit. Një pjesë e artistëve nga Kosova e quanin “ambasada e artistëve të Kosovës”.Për Borkën kufiri ka qenë vetëm qielli. Këtu iku ajo dhe sic thonë në Beograd “u nxor” ose shpëtoj. Kurse ata që do të ngelin më pas do ta kenë shumë më të vështirë. Borkës nuk i ka lëvizur as qerpiku në momentet e shumta të hapjes së ngjarjeve për të cilat nacionalistët mund të kenë protestuar dhe më shumë se fjalimet hapëse janë dëgjuar brohoritjet, këngët, thirrjet, kacafytjet me policinë e deri tek pishtarët e gazi lotsjellës. Paralelisht me ngjarjet e saj. Ajo e ka dashur çdokënd që ka qenë njeri. Borka, Nëna e kulturës në Ballkan.

Vdekjen e saj e ndjeva pasi për mua ajo ka qenë një kurajo. Pavarësisht se sa moshë ke ajo i ka dashur shpirtrat. Por, mu desh të ik në Poznan të Polonisë për ta parë për herë të parë samitin e procesit të Berlinit në kuadër të Bashkimit Evropian. Është hera e parë që udhëtoja tek një shtet anëtarë i ftuar dhe me punë. Asnjëherë nuk kam udhëtuar drejt BE-së pa më ndodhur ndonjë pyetje e çuditshme nga kufitarët e aeroporteve. Për vendet si Ballkani, përveç Kosovës, nuk duhet vizë por ekzistojnë disa kushte për udhëtim. Për ata të Kosovës (shqiptarë dhe serb), gjoba politike padrejtësisht i ka lënë edhe pa këtë mundësi. Një pjesë e vendeve e arsyetojnë me frikë refugjatës gjithmonë këtë punë, një pjesë tjetër me rrezik, kurse një pjesë nuk duan për qëllime politike. Ka të atillë që thonë “ok”. Por, kjo nuk është edhe kush e di se sa arsyetim. Ka shumë edhe sahanlëpirës dhe puthadorë nga ana jonë që mendojnë se s’është gjë me ia heq atdheut një kofshë të trupit se nuk bëhet nami. Krimin e bëjnë ata ne ndëshkohemi.

Në aeroport na lidh të gjithëve një gjë që duam të kalojmë portën dhe makinat skanuese të sigurisë, nuk duam të presim shumë dhe duam të arrijmë diku. Na lidh një tub i gjatë që fluturon në ajër, kryesisht të gjithëve na prekin këmbët në karrigen tjetër dhe në varësi të kohës udhëtimi është më i lodhshëm se me autobus. Të gjithë duam të dalim shpejt dhe të arrijmë. Disi të gjithëve na lidh klastrofobia. Kur diçka nuk shkon të gjithëve na lidh nervozizmi dhe disi shpejt arrijmë në konkluzionet e fundit ose nervozizma. Mërzia dhe koha depresive janë të padurueshme.

Në Poznan, duke ikur për të folur për lidhjet kulturore dhe këto vende, por edhe politikën dhe mundësitë. Në aeroport bëhet radha përtej korridorit të mundshëm në pjesën “EU-…CH”, ku mund të shkojnë ata me pasaporta të mira. Në disa vende mund të llogariten edhe disa radhë. Një grua që flet spanjisht pyetet nga e bija 5-6 vjeç se a mund të shkojmë tek kjo radha ku ka më pak. Duket se nuk ishte nga Spanja, por me pasaportë “të keqe”.Natyrisht për fëmiun pyetja është logjike pasi ajo nuk ka logjikën e diskriminimit. “Hey here is USA, Taiwan…its says USA, we can go…”, kështu zëshëm bërtet një tjetër njeri një njoftim që duket se ia drejtonte dikujt me hare tre radhë më tutje që po priste me këta me pasaporta të këqija. Sikur duke qeshur në fytyrë para një grupi të madh që“e kanë zgjebën”.

“Jam i ftuar i Bashkimit Evropian”, i them dhe vazhdoj më tutje. Kësaj radhe interesimi nuk ishte i thellë pasi po udhëtoja për një shtet tjetër.Kalova.më ka ndodhur të kem pyetje nëpër aeroportet Perëndimore nga ato a kam para e deri tek sa do të qëndroj në Evropë”. Nga pyetja kuptohet se polici nuk mendon se asgjë që është jashtë BE-së nuk është më Evropë. Po të thoja me shaka fatkeqësisht përgjithmonë, ndizej alarmi dhe vështirë do ta sqaroja që e konsideroj vetën evropian. Një herë tjetër kam qëndruar gati gjysmë ore në kufi pasi kisha harruar të shtypja biletën në tërësi dhe nuk kisha bateri ta tregoja biletën e kthimit. Pasaporta plot vula. Por, policja sigurisht ka urdhër ta kontrolloj secilin që dyshon se është refugjat potencial. Sigurisht nëse kjo ndodh do të tentoj të mos kërkoj azil në Evropë. Por, gjithsesi unë kam mundësi të udhëtoj. Ky është lehtësim, por nuk mund ti zgërdhihesh fatit absurd të dikujt dhe ti japësh të drejtë vetës si racë superirore. Gjithsesi ka shumë gjëra të mira Bashkimi Evropian dhe e shoh si të vetmen mundësi për vendet e Ballkanit andaj besoj se do të flasim edhe herë tjera. Por, ka Evropa shumë gjëra që mund ti marr nga Ballkani. Për shembull, organizmin e samiteve. Ka shumë gjëra të tjera që lenë për të dëshiruar. Gjithsesi, për të mos qenë zemër ngushtë nuk do të futem më tutje. Por, ajo që është me rëndësi ta kuptojmë është se përse ne jemi në gjendje kritike?!Ne po ashtu kemi paragjykime ndaj Evropës dhe shpesh e shohim si bankomat. Pse Evropa është në gjendje kritike?!

Problemi është te mungesa e thellësisë dhe e bashkëpunimit. Shovinizmi dhe injoranca. Këtu na mungon një dialog i vërtetë mbarë evropian. Para pak ditësh në një media të huaj doli një shkrim se një zyrtarë paska sqaruar që BE-ja nuk qenka as shtet as konfederatë, por një lloj organizmi që ndanë vlera, gjithsesi secili mbanë të drejtën e një pjesë të politikave të jashtme. Ky sistem disfunksinal ka bërë që brenda vet Bashkimit Evropian të krijohen grupe në stilin e shteteve të Ballkanit dhe çuditë e mëdha politike. Paraqitja në skenë fuqishëm e djathtistëve është mungesë e dialogut majtist dhe neglizhencës së një lloj majtizmi populist që nuk ka koncept. Njerëzit që gjatë nuk kanë përjetuar luftë besojnë se gjërat nuk kanë se si të shkojnë shumë keq. Por, gjithsesi Bashkimi Evropian për ne është një shtet pasi në Ballkan ka “ambasada”, ne e kemi marrë seriozisht këtë organizim dhe mungesa e tij tregon zbehje të proevropianizimit. Ne na duhet BE-ja që të vetkorrektohemi. Vendet e Ballkanit, nga ana tjetër, po ashtu kanë dyfytyrësi në politikë duke treguar se çfarë ndodh nuk është e vërtetë dhe duke krijuar kulte udhëheqësish dhe heronj. Kështu disi njësoj siç injoron BE-ja hallet emergjente të banorëve “jashtëtokësor” të Evropës, ashtu edhe politika në Ballkan nuk merret shumë me forma të problemit, por më shumë me paketimin e tyre. Kështu disi krijohen rryma atmosferike të çuditshme që diçka si moti këta dy muaj në Ballkan ngrohen dhe tërbohen pafundësisht dhe paprimtas. Ballkanasit besojnë tek ekzistenca e një jete evropiane, por nuk mendojnë se kjo ndodh këtej. Ata dikush i ka bindur që ne nuk jemi Evropë, por një lloj kufiri mes orientit dhe Perëndimit. Atyre u është thënë si në rastin e kosovarëve që nuk janë mjaft të mirë për të patur edhe një “pasaportë gjysmë të mirë” dhe kanë ngel peng në kohën kur njerëzit testojnë kërpudha që hanë plastikë për ta gjetur të ardhmen e rigjenerimit të ushqimit dhe ruajtjes së mjedisit. Një Kosovar, përveç me shumë letra e me vizë, nuk mund ta pret as radhën. Mungesa e komunikimit dhe hapësirës për të dëgjuar ndodh të jetë një furnizues i keq i energjisë dhe të çoj deri në vuajtje ose fobi njerëzit. Këtu në Evropë, prej nga jemi edhe ne, që dikush dëshiron të na bind se nuk duhet të kemi mundësi ose të pajtohemi me fatin e pasigurisë, urrejmë shumë për të qenë të qetë dhe po ashtu gënjejmë shumë, jo vetëm të tjerët por edhe vetën. Nëse nuk më besoni lexoni komentet në lajmet për dervishët e Kosovës që bën lutje në Beograd dy javë më parë në gjuhën shqipe. Ofendime më makabre dhe idioteske nuk kam parë ndonjëherë ndaj vet shqiptarëve të Kosovës nga vet shqiptarët. Në të njëjtën linjë kanë qenë nga dy taboret nacionaliste dhe shoviniste, shqiptarë e serb. Nga disa e kuptova që nuk është mirë që askush nuk i ka rrah pasi kjo i bën të shitur. Sikur do ti kishin rrah do të krenoheshim me ta. Turp! Llojlloj njerëzish ka.

Njerëz pakurrizor dhe bashkëpunëtorë të krimit janë të gjithë ata që heshtin, sado qëoftë roli i tyre në këto shoqëri. Qoftë edhe minor roli i tyre. Ata që bëhen konformist. Disidentët e konferencave.

Por, në Poznan folëm për kulturën dhe pak edhe për Borkën. Por, folën më shumë politikanët që erdhën të izoluar nga një publik i vërtetë. Është problematike gjithsesi të flitet për njerëzit pa njerëz. Një vajzë që punëson gra në mosha që askush nuk i do në punë, një aktiviste që gatuan dhe shërben ushqim për njerëzit që jetojnë pa asgjë në memorialin e Nënë Terezës në Shkup, një tjetër nga Beogradi që bën biskota dhe ka arritur sukses duke refuzuar punën në një korporatë, një grua tjetër që pastron varre për diasporën që jetojnë jashtë Kroacisë, një slloven që punëson të rinjtë dhe i motivon ata ta përdorin historinë për të jetuar si mundësi, një grua nga Mirdita e Shqipërisë me diplomë të marrëdhënieve ndërkombëtare në Romë, që tashmë ka fermë me 400 dele dhe një prishtinali nga Qendra e Inovacionit, i cili mbase mund të shpik edhe robot, por i duhet vizë. Këta ishin e vetmja gjë që u prezantua për tokë dhe jo për qielli.

Gjithsesi, prapë në të gjithë bëhemi “toshë” ose sikurse nuk ndodh asgjë asnjë herë dhe kurrë. Kështu shumë burokraci dhe ngjarje për ta shkruar një editorial. Shumë politikë, tepër. Është bërë gjithçka dhe shumë pafund për koment në të gjitha shtetet e Ballkanit. Kështu gjithkush ka fobi nga gjithkush. Ata të cilët kanë pas fat natyrorë me qenë të lindur në një kulturë tjetër që tashmë është pjesë e unionit qëështë shtet jashtë, por edhe brenda, kanë frikë mes njerëzve brenda një kombi, kanë frikë mes shteteve për rreth, kanë dallime shoqërore e politike, klasore, pozitash e pasurish. Dhe, askush nuk e dëgjon më askënd dhe nuk i intereson e drejta dhe drejtësia, por vetëm justifikimi. Kjo është dëshmi që ne jemi Evropë! Problemi me ata që vrasin në luftë është se ata marrin jetë gjeneratash, kurse ata që e vrasin paqen dhe e marrin rob të drejtën e vrasin çdo gjeneratë. Heshtja është krim. Dhe, politikës nuk i pëlqen asnjëherë në këto decenie të flitet vërtetë. Debati po kthehet e një lloj sulmi ose kundërsulmi pasi në të gjithë “prekemi”. Por, ta vëmë gishtin në kokë vërtetësia ndikon vetëdija në këtë që ne sot jemi?! Pse disi ankohemi dhe nuk na pëlqen, e mbrojmë dhe nuk e dorëzojmë të keqen. Andaj duhet ti ftojmë dhe kujtojmë njerëzit si Borka sa të jenë gjallë dhe ta mendojmë përse nuk i kemi parë kur ishin kur të vdesin. Çdo popull është si stomaku apo natyra dhe ka florën dhe faunën e saj. Diku jetojnë më shumë bakterie, dikush ka imunitet ndaj tyre. Por, çdo specie në këtë botë ekziston në çdo hapësirë për ta balancuar dhe dalluar të mirën dhe të keqen. Dhimbjet janë të njëjta dhe shërohen vetëm me vetëdije. Niveli i saj është ilaç për rregullimin e dhimbjeve barkore. Por, është pikëpyetje a do ti shpëtoj një kontinent në paqe tërë asaj që imagjinata jonë e konsideron si të zakonshme dhe të parrezikshme. Shtrohet pyetja: a flet toka?!

“E ardhmja e BE-së është e rëndësishme që ta kuptojmë se sit e jetojmë së bashku në një botë që rritet në numër dhe zvogëlimi I burimeve janë esenciale, në kuptimin e përditshmërisë, e cila natyrisht varet nga idetë e realitetit, ose se si e mendojmë në realitetin. Realiteti, në anën tjetër, është më kompleks dhe më I pasur dhe më shumë imagjinatë, kurse në anën tjetër sfidues dhe ekzistues. Në të njëjtën kohë, ngjarjet q ne nuk I kishim pritur panë dritën në punimet e stilit “koha mbi kuptimin e realitetit” që është gjithcka që ne nuk e kemi vërejtur, por ishte atje.“Skena e vogël e rrugës” e Brehtit, ngjarja që alarmon, shpesh ngelet e palexueshme – pasi së pari leximi kërkon vullnet dhe së dyti sepse parimi I mbijetesës qëndron para marrëzive të jetës”, thoshte Borka Pavicevic, e lum ajo për jetën e saj dhe empatinë që ne nuk e kemi.