Kryetari i ri i Kuvendit Talat Xhaferi pret që vendimi për zgjedhjen e tij të publikohet së shpejti në gazetën zyrtare.

Ish-kreu i Kuvendit Veljanovski nuk pranoi t’i dorëzojë zyrën Xhaferit. Në këtë zyrë Nikolla Gruevski me deputetët e VMRO-së u mblodhën për të publikuar masat. Nga ana tjetër Kuvendi sot është rrethuar nga forca policore pas paralajmërimit për rikthimin e protestave, shkruan Alsat M.
Deputeti i BDI-së Artan Grubi deklaroi për gazetarët se shumica parlamentare ka arritur në Kuvend prej orës në mëngjes. Shumica parlamentare i ka dërguar letër sekretarit të Kuvendit për t’i mundësuar Xhaferit zyrë dhe të gjitha kushtet administrative për fillimin e punës.
“Letra deri te sekretari është vulosur dhe arkivuar. Sekretari ka kthyer përgjigje të vulosur dhe të arkivuar se kushtet do të mundësohen kur vendimi për zgjedhjen e Xhaferit të publikohet në gazetën zyrtare. Tani presim publikimin në gazetën zyrtare sipas të gjitha procedurave ligjore”, tha Artan Grubi.(Alsat M)