Kuvendin Komunal të Vitisë e udhëheq një i dënuar për manipulim të votave. Është i dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht. Por, Naim Pira i LDK-së nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje.
Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar kryesuesin e Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira, më 6 muaj burgim me kushte. Ai është shpallur fajtor për manipulim me vota në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010.
Bashkë me të janë shpallur fajtorë edhe Ramadan Zuka, Fatlum Demiri, Baki Musa, të gjithë nga fshati Pozharan i Vitisë.
“Janë fajtorë, sepse në zgjedhjet parlamentare të Republikës së Kosovës të mbajtura më 12.12.2010, në Qendrën e votimit 2605D/01 në Shkollën Fillore “2 Korriku”në fshatin Pozharan, të pandehurit Naim Pira, Ramadan Zuka, Fatlum Demiri dhe Baki Musa si anëtarë të komisionit votues, kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve për deputet në Parlamentin e Kosovës, në atë mënyrë që gjatë dhe pas numërimit të votave kanë manipuluar me 861 vota”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Sipas Gjykatës, veprimi i tyre ka qenë në atë mënyrë që “subjekteve politike dhe kandidatëve konkurrues për anëtarë të Parlamentit të Kosovës, iu kanë shtuar apo hequr votat e dhëna nga votuesit dhe pas kësaj i kanë regjistruar në mënyrë jo të saktë në formularin e rezultateve të kandidatëve dhe në këtë mënyrë kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezultatet e votimit dhe atë në favor të subjekteve dhe kandidatëve të tyre të preferuar, duke i dëmtuar subjektet e partive tjera politike dhe kandidatët e tyre – më çka ka kryer veprën penale “mashtrim në votime”…”.
Megjithatë, gjykata i kishte dënuar këta katër persona me gjashtë muaj burgim me kusht, në mënyrë që ata brenda një viti të mos bëjnë ndonjë tjetër vepër penale.
“Ju shqiptohet dëmin më kusht, ashtu që të njëjtëve jua cakton dëminin me burgim në kohëzgjatje prej nga 180 ditëve, duke urdhëruar në të njëjtën kohë që këto dënime mos të ekzekutohen, nëse të njëjtit gjatë përiudhës verifikuese prej një (1) viti, duke filluar nga dita pasuese e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nuk kryejnë vepër tjetër penale, nën kërcënim të revokimit të këtij dënimi…”, thuhet më tej në vendim.
Ata kishin bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë, të cilin gjykata e ka marrë edhe si provë për ekzistimin e veprës penale për të cilën janë dënuar.
Por Naim Pira, thotë se ende nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit për dënimin e tij.
“Jo ende nuk e kam marr vendimit e Gjykatës”, ka thënë ai, duke thënë se do të ankohet në shkallën e dytë.
Mirëpo, në vendimin e Gjykatës thuhet se palët kanë heqë dorë nga e drejta për ankesë.
“Aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm më datë 21 korrik të vitit 2016 pasi që palët kanë heq dorë shprehimisht nga e drejta në ankesë…”, thuhet në fund të vendimit.
I pyetur nëse e ka pranuar fajësinë, ashtu siç thuhet në vendim, ai e ka mohuar këtë, duke thënë se kanë kërkuar fakte nga Gjykata.
I pyetur nëse do të japë dorëheqje pas këtij vendimi, ai ka thënë se do të veprojë sipas dispozitave ligjore, edhe pse, sipas tij, ligji nuk e parasheh dorëheqjen në këso rastesh.
Ai nuk ka dashur ta komentojë dorëheqjen morale, duke thënë se do të ankohet në shkallë të dytë.
Naim Pira është kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai ishte kandidat për asamblist në zgjedhjet lokale të 2013-ës, dhe mbante numrin 20.
Ramadan Zuka është nga i njëjti fshat me Naim Pirën.
Fatlum Demiri, nga fshati Pozharan i Vitisë, në profilin e tij në Facebook shkruan se është zyrtar i lartë për punë profesionale në Kuvendin Komunal të Vitisë. Baki Musa është po ashtu nga fshati Pozharan.
Këta të akuzuar, sipas vendimit të gjykatës, kanë hequr dorë nga ushtrimi i ankesës, dhe në këtë mënyrë, vendimi është bërë i plotfuqishëm nga data 21 korrik i vitit 2016.
Në këtë proces gjyqësor kanë qenë të përfshirë edhe Avni Ostorgllava dhe Bajram Pira, po ashtu nga fshati Pozharan i Vitisë, të cilët akuzohen si bashkëkryerës në këtë rast. Por gjykata e ka veçuar lëndën ndaj tyre. Ndaj Bajram Pirës gjykata ka thënë se do të lëshohet urdhër-arrest./Insajderi.com