Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, vlerëson se Kosova do duhej të ishte e ftuar në Samitin e Demokracisë që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Insajderi.com
Përmes një reagimi në “Twitter”, eurodeputetja tha se Kosova do duhej të jetë në këtë samit, ndërsa mosftesën e cilëson si gabim i lëshuar nga administrata e Bidenit dhe pret që të rregullohet ky lëshim.
“Unë pajtohem që Kosova e meriton të jetë në Samitin e Demokracisë, por nuk e kuptoj se cilat arsye sigurie e pengojnë pjesëmarrjen e Kosovës. Ky është padyshim një gabim i administratës Biden, i cili, shpresojmë se ende mund të korrigjohet”,shkroi ajo, transmeton Shqip.com.
Në datat 9 dhe 10 dhjetor, presidenti amerikan Joe Biden do të organizojë për herë të parë një samit virtual për liderët e qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat.
Samiti do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë për demokracinë, dhe qëllimi është sigurimi i platformave të qeverive të ndryshme, dhe ky shihet si momenti më i mirë që liderët të angazhohen për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, në vendet e tyre, por edhe në nivel ndërkombëtar.
Ftesa tashmë është zyrtarizuar për rreth 100 shtete të botës. Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, në këtë samit, nuk është ftuar Kosova, Serbia dhe as Bosnjë e Hercegovina, Ndërsa janë ftuar Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. /Insajderi.com