Von Cramon: Në Kosovë ankohen për ndërhyrje nga Vuçiq, ndërsa Kurti voton në shtet fqinj – e papranueshme

Von Cramon: Në Kosovë ankohen për ndërhyrje nga Vuçiq, ndërsa Kurti voton në shtet fqinj – e papranueshme

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e konsideron të papranueshme votimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të Shqipërisë, të cilat po mbahen sot, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Twitter, ajo tha se nuk e kupton veprimin e kryeministrit Kurti, derisa ka kujtuar se në Kosovë ankohen për ndërhyrje nga Serbia dhe Aleksandar Vuçiq.

“Nuk mund ta kuptoj se çfarë është e gjithë kjo. Nga njëra anë të gjithë në Kosovë ankohen për ndërhyrje nga Serbia ose nga vetë Presidenti Aleksandar Vuçiq, por nga ana tjetër këtu kryeministri i Kosovës edhe voton në një shtet fqinj. E papranueshme. Të paktën jo për mua”, ka shkruar ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, votoi në zgjedhjet e sotme parlamentare në Shqipëri pak pasi u hapën vendvotimet, ndërsa i ka ftuar qytetarët e Shqipërisë që ta bëjnë të njëjtën.

“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë. I ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot ta respektojnë atdheun duke votuar dhe bërë zgjedhjen më të mirë. Dita është e bukur, e dielë, me diell, kështu do të jetë deri në mbrëmje. Uroj ditë të bukura dhe mbarësi për Shqipërinë dhe secilin njeri që ashtu sikurse unë, e ka pasaportën e Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar Kurti pas votimit. /Insajderi.com