Viola Von Cramon, pjesëmarrëse në Delegacionin e Anëtarëve të Parlamentit Evropian për mbikëqyrje të zgjedhjeve lokale në Kosovë, tha se Lista Serbe ka ushtruar presion gjatë fushatës ndaj partive tjera serbe në Kosovë, përcjell Insajderi.com.
Në një konferencë për media, ajo tha se Lista Serbe ka kërcënuar serbët në Kosovë që të votojnë për këtë subjekt politik.
“Është për fat të keq që disa mangësi sistematike nuk janë evituar ende. Një nga to është ngushtimi i hapësirës politike për serbët. Lista Serbe ka dominuar dhe nuk u ka lënë hapësirë partive tjera serbe. Shumica e bashkëbiseduesve kanë thënë se kuadri ligjor duhet të ndryshohet për përmirësimin e financimit të fushatave nga niveli lokal, gjë që ulë korrupsionin.
Ka kërcënim të madh të votuesve dhe ndaj kandidatëve të cilët nuk vijnë nga Lista Serbe. Kjo është ajo qe kemi dëgjuar nga bashkëbiseduesit në veri. Sa i përket mjedisit të përgjithshëm në veri është jashtë mandatit tim. Do ta analizojmë më shumë këtë”, tha ajo.
Tutje, ajo ka përgëzuar qytetarët për procesin e rregullt dhe të qetë zgjedhor, duke thënë që pos sfidave me pandeminë, Komisioni Qendror Zgjedhor ka arritur në mënyrë efikase t’i zbatojë procedurat.
“Përkundër sfidave me pandeminë, KQZ ka arritur që në mënyrë efikase të zbatojë procedurat zgjedhore. Demokracia lokale është në themel të demokracisë, vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve na ka bërë të kuptojmë… Këto zgjedhje kanë dëshmuar se Kosova është një demokraci e vërtetë. Përkundër konkurrencës zgjedhore, partitë politike, me disa përjashtime, kanë respektuar njëra tjetrën”, tha ndër tjerash ajo./Insajderi.com