Von Cramon: Qëndrojmë krah Kosovës për garantimin e shtetësisë së saj

Von Cramon: Qëndrojmë krah Kosovës për garantimin e shtetësisë së saj

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, para PE-së ka thënë se Kosova do të ketë përkrahje të plotë dhe do të ndihmohet në çdo aspekt, përfshirë edhe ruajtjen e shtetësisë së Kosovës, transmeton Insajderi.

Derisa u deklarua për dokumentet jo-zyrtare ‘Non-papers”, për të cilat thotë se nuk meritojnë vëmendje dhe se janë për të përhapur frikë dhe për të provokuar.

“Është mirë që jeni mirëpritur nga të gjitha institucionet e BE-së. Sigurisht që ka pritje të mëdha nga kryeministri i Kosovës që do ta mbështesni aktivisht dialogun që do lehtësohet nga Miroslav Lajçak. E di që ka një lloj ngurrimi apo rezervimi nga ana juaj dhe kjo mund të jetë e kuptueshme, por duam t’iu ofrojmë mbështetje në pjesëmarrje në këtë dialog politik për aq sa mundemi”, është shprehur më tej ajo derisa foli për dialogun Kosovë-Serbi që pritet të vazhdojë së shpejti.

“Jemi të gatshëm t’iu mbështesim në çdo gjë që iu duhet dhe qëndrojmë në krahun e Kosovës për garantimin e shtetësisë së saj. Nuk iu kushtojmë aq shumë vëmendje këtyre “non-papers”. E dimë se çka ka prapa tyre për të përhapur frikën dhe për të provokuar”, ka thënë ajo. /Insajderi.com