Von Cramon: Qeverisë Kurti i kemi kërkuar të përqendrohet në dialogun me Serbinë

Von Cramon: Qeverisë Kurti i kemi kërkuar të përqendrohet në dialogun me Serbinë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se i ka kërkuar Qeverisë së re të Kosovës, të udhëhequr nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të përqendrohet në dialogun me Serbinë, transmeton Insajderi.

Von Cramon derisa ka mbajtur një konferencë për medie lidhur me “Raportin e Komisionit për Kosovën dhe Serbinë 2019-2020”, ka pohuar se liberalizimi i vizave është një çështje urgjente që duhet të zgjidhet sa më shpejt për kosovarët.

Ajo ka thënë se shpreson që deri në fund të vitit të përmbyllet ky proces, “çfarë do të ndikonte edhe në rikthimin e besimit tek Bashkimit Evropian”.

““Qeveria e re duhet të angazhohet për dialogun. Kemi parë në javët dhe muajt e kaluar që është bërë progres dhe do të donim që ky proces të vazhdojë në javët dhe muajt në vijim. Dialogu është parakusht për rrugën drejt BE-së”, ka deklaruar Von Cramon.

“Edhe sot në parlament e ngritëm çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Shpresoj se mund ta finalizojmë këtë deri në fund të vitit, çfarë do të ndikonte edhe në rikthimin e besimit tek BE”, ka shtuar ajo.

Von Cramon në fund i bëri thirrje spektrit politik në vend që të zgjidh edhe çështjen e presidentit sa më shpejt. /Insajderi.com